Luftarake

Për Kosovën, Evropiani i xhudos në Podgoricë ishte i suksesshëm

Xhudo

Kampionati Evropian i xhudos që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi, përfundon të dielën. Por për Kosovën përfundoi të enjten. Dhe atë me shumë sukses falë Distria Krasniqit. Të mërkurën, në ditën e parë të Evropianit në Podgoricë, ajo fitoi medaljen e artë evropiane në kategorinë deri 52 kilogramë. U shpall kampione e Evropës në xhudo. Të mërkurën garoi edhe xhudistja me perspektivë, Laurina Gashi.

Në ditën e dytë, të enjten, në tatami u paraqitën në kategorinë deri 73 kilogramë, Akil Gjakova dhe Dardan Cena.

Gjakova e përfundoi Evropianin në vendin e shtatë, kurse Cena shënoi dy fitore në kategorinë deri 73 kilogramë.

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, thotë se për Kosovën, Evropiani në Podgoricë është i suksesshëm.

Kosova në Evropian u paraqit e përgjysmuar. Për shkak të një lëndimi, mungon Laura Fazliu, fituesja e medaljes së bronztë olimpike.

“Me ekip të përgjysmuar për shkak të lëndimeve nga kryeqyteti malazez po kthehemi në atdhe me një të artë në vend të 7-të e me paraqitje të mirë të mbarë ekipit prej katër garuesve”, ka shkruar Kuka në Facebook.

Ai ka vlerësuar medaljen e artë të fituar nga Distria. Evropiani në Podgoricë të malit të Zi, ishte kampionati i parë i madh i xhudos pas Lojërave Olimpike “Paris 2024”, ku Distria fitoi medalje të argjendtë.

“Distria dje shkëlqeu, nuk ka fjalë të shtohet pos një bravo e madhe për kolsen tonë”, ka shtuar Kuka.

Ai ka vlerësuar edhe paraqitjen e Akilit. Tha se çerekfinalja e Aklit kundër legjendës së xhudos, gjeorgjianit Lasha Shavadtuashvili, ishte një nga luftërat më të forta që ka përjetuar si trajner. Gjeorgjiani doli fitues pas luftës së jashtëzakonshme prej 16 minutave. Dy xhudistët shpenzuan energji të madhe dhe mezi qëndruan në këmbë në minutat e fundit. Një luftë në xhudo zgjat 4 minuta e më pas është koha shtesë. Rrallë ndonjë luftë shkon në 10 minuta.

Aklili u kualifikua në çerekfinale pasi fillimisht mposhti në 1/16 e finales francezin Maxime Gobert, kurse në 1/8 e finales e mposhti me një “ippon spektakolar, pas minutave shtesë, xhudistin nga Moldavia, Victor Serpu.

“Akili kishte një grup të çmendur. Fitoi kundër francezit dhe moldavit për të arritur në çerekfinale, ku pas plot 16 minutave luftë, u mposht nga legjenda Lasha Shavadtuashvili dhe kjo luftë kolosale një ndër më të fortat që unë kam pa e përjetuar në jetën time, u kushtoi shtrenjtë të dyve sepse nuk patën kohë të këndellen. Akili në repasazh e Lasha në gjysmëfinale humbën luftërat e tyre pas stërlodhjes në luftën mes tyre. Akili përfundoj i 7 në Evropian”, ka vazhduar shkrimin kryemjeshtri Kuka.

Trajneri Kuka vlerësoi edhe paraqitjen e xhudistit Cena.

Cena e nisi me fitore paraqitjen në Evropian. Mposhti xhudistin nga Izraeli, Baruch Shmailov.

Ndaj tij fitoi me pikë të realizuar fare në fund. Lufta ishte e fortë, por pa shumë hedhje. Në fund Cena realizoi kundërsulm për “Yuko”.

Në xhiron e dytë të kategorisë deri 73 kilogramë, Cena e mposhti xhudistin nga Ukraina, Said-Magomed Khalidov.

Ndaj tij realizoi hedhje për “Yuko”.  Në fund fitoi me “Ippon”, të cilin e siguroi me mbërthim.

Cena u ndal në luftën e tretë. Cenan e mposhti bartësi i parë i Evropianit, rusi Danile Lavrentev. Ai garon me flamur të IJF-së.

Lavrentev fitoi me mbërthim, duke “zënë” dorën e xhudistit kosovar.

Dardan Cena na befasoi për të mirë duke fituar dy lufta kundër xhudistit nga Izraeliti dhe ukrainasit, por nuk mundi të ecë tutje. U mposht nga rusi por jam i kënaqur me performancën e tij. Në gara mori pjesë edhe një vajzë e re Laurina Gashi për të fituar përvojë për garat e ardhshme marr parasysh moshën e saj”, ka thënë Kuka.

Ai ka mbyllur shkrimin e tij me një video të përmbledhur të Distrisë, e cila fitoi medaljen e artë në Evropian.

Për Distrinë ishte titulli i tretë i Evropës.