Luftarake

Orges Arifi, nënkampion i Evropës

Orges Arifi

Orges Arifi ka arritur të shtunën suksesin më të madh në karrierë. Karateisti prishtinas doli nënkampion i Evropës në kategorinë deri 60 kilogramë. Është ky po ashtu një prej sukseseve të mëdha të karatesë shqiptare në përgjithësi.

Arifi prezanton Shqipërinë, ndërsa në finale u përball me bartësin e parë, grekun Christos-Stefanos Xenos.

Xenos, që është kampion aktual botëror, realizoi herët epërsi prej 1:0. Arifi ia doli të barazoi në 1:1, por më pas garuesi grek realizoi edhe dy pikë për fitoren 3:1.

Paraqitja e Arifit ishte e fuqishme, përkundër humbjes. Medalja e argjendtë evropiane është sukses i madh për të dhe për karatenë shqiptare në përgjithësi.

Deri në finale, Arifi mposhti katër garues. Nisi me fitore 3:2 ndaj zviceranit Eric Timmer. Më pas e mposhti turkun Eray Samdan me rezultat 4:2. Samdan është prej më të mirëve në botë. Është medalist i argjendtë olimpik dhe kampion i shumëfishtë i Evropës.

Arifi më pas e mposhti  çekun Martin Drabek me rezultat 3:2 dhe në gjysmëfinale e kaloi azerbajxhanasin Farid Savadov. Katër luftërat e para i kishte të enjten, ndërsa të shtunën e kishte vetëm finalen.

“Padyshim që medalja në nivel elitar është shpërblim për punën dhe mundin që e kam bërë me vite. Që nga fillimi qëllimi ishte që një ditë të fitoj medalje evropiane apo botërore. Dhe këtë medalje e kam tashmë”, ka thënë Arifi për KOHËN.

Evropiani i karatesë po mbahet në Zarë të Kroacisë. Arifi është i vetmi shqiptar që ka fituar medalje