Boksieri 28-vjeçar, Ardian Krasniqi, e ka mbrojtur titullin “WBO Intercontinental” në kategorinë gjysmë të rëndë, pas fitores me nokaut ndaj argjentinasit 30-vjeçar Diego Ramirez.
Krasniqi, që është nipi i ish-boksierit të njohur, Luan Krasniqit, fitoi me nokaut në raundin e katërt, të shtunën. Për Ardian Krasniqin ishte fitorja e 11-të në boksin profesionist nga po aq meçe të zhvilluara.
Të gjitha luftërat i ka fituar me nokaut.
“Gjithçka shkoi sipas planit. Kur e lëshova të djathtën në raundin e katërt, e dija se ai nuk do të ngrihet sërish”, ka thënë Krasniqi, shkruan “Bild” të dielën.
Nata e boksit u organizua në “Sindelfingen Glass Palace” nën moton “Shfaqja për trashëgiminë”.
I pranishëm ishte edhe ish-portieri i Stuttgartit, Timo Hildebrand, i cili e përgëzoi boksierin shqiptar.
Krasniqi ka qenë fans i madh i ish-portierit që me Stuttgartin u shpall kampion në Gjermani.
“Kur ishe në një kamp stërvitor, e kam mbajtur një copë letre me nënshkrimin tënd në të. Isha 12-vjeçar në atë kohë. Ende e mbaj atë kujtim”.
Legjenda e boksit, Luan Krasniqi, është ish-kampion i Evropës në peshën e rëndë. Ai ka deklaruar se Ardiani shpejt do të bëhet edhe kampion bote.
“Kjo është nder për mua. Vetëm prezenca e tij, fakti se ai është aty duke më përkrahur, është gjëja më e madhe për mua”, ka deklaruar Ardian Krasniqi.