Luftarake

Në Beograd edhe Evropiani i taekwondos pa Kosovën

Beograd

Kampionati Evropian i boksit amator nis të enjten. Evropiani i seniorëve në boks mbahet deri më 28 prill në Beograd të Serbisë, ndërsa pjesë e tij janë boksierë nga 35 vende. Por jo edhe nëntë boksierët e paraqitur nga Kosova.

 

Federata e Boksit e Serbisë të dielën njoftoi Federatën e Boksit të Kosovës se “paraqitja e boksierëve të Kosovës në Kampionatin Evropian në Serbi do të ishte rrezik dhe provokim”.

 

Në Evropian nuk do të marrin pjesë as taekwondistët kosovarë. Kampionati kontinental në sportin e taekwondos mbahet nga 9 deri më 12 maj. Ngjarja është caktuar të mbahet po ashtu në kryeqytetin e Serbisë.

 

Kryetari i Federatës së Taekwondos së Kosovës, Arsim Agushi, thotë se është e pamundur pjesëmarrja e Kosovës në Evropianin e Beogradit.

 

“Si të gjitha Federatat e tjera të Kosovës ashtu edhe ne po diskriminohemi. Nuk pranojnë të marrim pjesë. Kemi diskutuar edhe me KOK-un dhe MKRS-së, sepse kur ka të bëjë me Përfaqësuese, vendimet i marrim në koordinim me institucionet më të larta. Ne nuk do të shkojmë. Është pamundur. Ka të bëjë edhe me sigurinë e po ashtu nuk i pranojnë simbolet tona. Pengesa është kryekëput politike. Kemi njoftuar edhe Federatën Evropiane. Por çështja nuk është tek ajo. Është politike dhe me keqardhje e ka marrë njoftimin se ne nuk do të lejohemi të marrim pjesë në Evropian”, ka thënë Agushi për KOHËN, të mërkurën.

 

Përkundër diskriminimit të qartë ndaj Kosovës, Serbisë vazhdojnë t’i jepen ngjarje ndërkombëtare për t’i organizuar.

 

“Na është thënë se Serbia ka qenë e vetmja që ka kërkuar organizimin e ngjarjes, sepse ne në letër i kemi thënë që të mos ia japin të drejtën e organizimit, pasi po diskriminohemi. Ajo që ne kërkojmë është që të marrim pjesë të barabartë me shtetet e tjera”, ka theksuar Agushi. “Nuk kemi komunikuar me Federatën e Serbisë. Ne komunikojmë me Federatën Evropiane, pjesë e së cilës jemi. Por nuk kontaktojmë me një federatë që shteti i tyre nuk e njeh shtetin tonë”.

 

Në të kaluarën shumë sportistëve kosovarë nuk u është lejuar të futen në territorin e Serbisë për të marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme. Ka pasur raste kur u është kërkuar të garojnë pa simbole që paraqesin shtetin e Kosovës.

 

Në shumë raste Federatat serbe kanë pasur edhe qëndrim diskriminues. Së fundi në letrën e dërguar, Federata serbe e boksit nuk iu drejtua Kosovës në emrin zyrtar të shtetit.

 

“Një problem potencial është njoftimi i pjesëmarrjes së të ashtuquajturës Kosovë*. Ne nuk kemi asgjë ndaj asnjërit sportist në botë. Serbia nuk e pranon të ashtuquajturën Kosovë*, prandaj do të ishte rrezik për sportistët e saj të shfaqen në Serbi, sepse ngjarja do të kthehej në provokim të madh të një problemi të madh politik”, shkruan në letrën e firmosur nga drejtori i Federatës së Boksit të Serbisë, Mane Marceta, dërguar të dielën në adresë të FBOXK.