Serbët në Bosnjë-Hercegovinë, përkatësisht në Republika Srpska, ende po reagojnë lidhur me intonimin e himnit të Kosovës në sallën “Serbia” në sheshin “Serbia” në Sarajevën Lindore. Këtë të shtunën e mundësuan xhudistet Flaka Loxha e Dëbora Gjakova, që fituan medalje të arta në Kampionatin Ballkanik për seniorë.
Për herë të parë himni i Kosovës është intonuar në Republikën Srpska, njërin prej dy entiteteve të Bosnjë-Hercegovinës. Për shkak të Republika Srpskas, Bosnja nuk e pranon shtetin e Kosovës. Por himni i Kosovës u intonua dhe flamuri i Kosovës u shfaq, ndonëse vetëm në ekran. Edhe himni është ndalur në gjysmë, kurse reagimet kanë qenë të shumta prej atëherë.
Intonimi i himnit të Kosovës ka shërbyer për përplasje politike të partive serbe në Bosnjë-Hercegovinë. Ndërkohë është kuptuar që komuniteti i xhudos në Republika Srpska është i ndarë në dy grupe. Njëri grup e organizoi Ballkanikun, e tjetri pretendon se është legjitim, por që nuk ishte pjesë e kësaj ngjarjeje. Drejtues të grupit të dytë të mërkurën ishin mysafirë në programin e mëngjesit të RTRS, televizionit publik të Republika Srpskas.
Zhivko Milijash, që pretendon se udhëheq xhudon në Republika Srpska, ka thënë se me intonimin e himnit të Kosovës janë turpëruar.
“Për ne më e madhe është Republika Srpska. Edhe nëse do të na ndalonin nga ndonjë garë, Republika Srpska ka prioritet për ne. Është dashur të shmangim këtë turpërim, që është njollë e re për federatën tonë”, ka thënë Milijash ndër të tjera.
Ai ka vlerësuar se nuk do të kishte dënim nëse nuk do të lejohej himni i Kosovës.
Dejan Qop, që pretendon se është sekretar i Federatës së Xhudos së Republika Srpskas, ka thënë se himni i Kosovës është shfaqur në “djepin e serbizmit”. Kështu e ka quajtur ai Sarajevën Lindore.
Në fakt qëndrimet anti-shqiptare e anti-Kosovë në Republika Srpska janë shumë theksuara. Por xhudistët kanë njoftuar serbët në atë pjesë me himnin e Kosovës.
“Kjo ndodhi në djepin e serbizmit, në Sarajevën Lindore. Pas shumë ngjarjeve, të intonohet ai himn në territorin tonë, nuk është në rregull”, ka thënë Qop.
Në fakt ekipi i Kosovës në xhudo, i përbërë me garues perspektivë, as që do të merrte pjesë në Ballkanik nëse nuk do të kishte garancinë e prezantimit të barabartë me delegacionet tjera. Në sallë nuk ka pasur flamuj të vendeve pjesëmarrëse, por flamujt janë shfaqur në ekranin prapa podiumit. Ndërkohë himni i Kosovës është intonuar si gjithë të tjerët, ndonëse u ndal në gjysmë. Shumë prej serbëve u larguan nga salla pa nisur intonimi i himnit.
Organizatori i Ballkanikut ka dhënë maksimumin që xhudistët e Kosovës të jenë të sigurt gjatë qëndrimit në Sarajevë. Provokimet e serbëve nuk kanë munguar, por nuk kishte ndonjë brengë për sigurisë. Dhe nga Sarajeva xhudistët u kthyen si fitues të mëdhenj.