“2013, 2014, 2015 e çdo vit më pas. Plot 13 vjet rresht. E arritur e madhe, apo jo?”.
Ishin këto fjalitë e para të kryemjeshtrit Driton Kuka, të mërkurën pasdite, në restoranin në afërsi të hyrjes zyrtare në kompleksin sportiv “Moraça” në Podgoricë. Driton Kuka, i njohur si Toni, e tani më shumë si kryemjeshtri, po fliste me asistentin e tij, Fatos Tabakun, për serinë e jashtëzakonshme.
Distria Krasniqi pak kohë më parë kishte siguruar finalen e Kampionatit Evropian. Pra nuk dihej ende nëse do të fitonte të artën apo të argjendtën evropiane.
Por dihej që Kosova do të fitonte medalje në Kampionatin Evropian të xhudos që ende po mbahet në kryeqendrën e Malit të Zi. Dhe kështu do të vazhdohej seria impresive. Seri që kryemjeshtrin, si përgjegjës të këtij suksesi, e bën shumë krenar. Kosova ka fituar medalje në Kampionate Evropiane rregullisht për 13 vjet. Seria nisi me të bronztë të Majlinda Kelmendit në vitin 2013 në Budapest. Vazhdoi me të artë të Majlindës në vitin 2014 në Montpellier. Në vitin 2015 të bronztë fitoi Nora Gjakova.

Në vitin 2016 për herë të parë u fituan dy medalje. Në vitin 2018 Majlindës e Norës iu bashkua Distria Krasniqi. Në vitin 2019 u shfaq edhe Loriana Kuka. Më 2021 edhe Akil Gjakova e më 2022 edhe Laura Fazliu. Ky grup xhudistësh i ka fituar plot 25 medalje për Kosovën në Kampionate Evropiane për të rritur. Prej tyre, plot nëntë janë të arta. Majlinda i ka katër, Distria tani i ka tri, Nora e Akili nga një.
“Medalja është medalje. Është me rëndësi të madhe që po vazhdojmë të fitojmë medalje edhe kur ekipin e kemi gjysmak për shkak të lëndimeve”, vazhdoi bisedën Kuka, në hyrje të kompleksit të bukur sportiv “Moraça”, në pjesën qendrore të Podgoricës. Ende nuk dihej nëse medalja e Distrisë do të jetë me shkëlqim ari apo argjendi. Por shihej një optimizëm i madh në sytë e Kukës.
“Kur e sigurojmë medaljen unë jam i relaksuar”, vazhdon ai, derisa vë duart pas kokës në shenjë çlirimi e përmbushjeje synimi po ashtu.
Restorani ishte i mbushur me sportistë, përkatësisht xhudistë e trajnerë. Në “shpinën” e kryemjeshtrit ishte një grup i madh i trajnerëve e xhudistëve nga Serbia. Befasisht apo jo, serbët ishin më së shumti në numër në atë moment në restoran. Ishin disi edhe të zhurmshëm. Por kur kalonin afër kryemjeshtrit ishin të qetë. Disa përshëndesnin me ulje koke e disa jo. Por të gjithë e dinin se kanë pranë njeriun përgjegjës që shteti i Kosovës vazhdon e vazhdon të shkruajë histori në sportin e xhudos. Që shteti i Kosovës do të fitonte medalje edhe në Evropianin në Podgoricë.

Blloku final nisi në orën 16:00 e pak pas orës 17:00, Distria u përball me italianen Odette Giuffrida në finalen e kategorisë deri 52 kilogramë. Distria kishte kontrollin e plotë në tatami dhe fitoi të artën. Pas luftës finale, kryemjeshtri ishte më i emocionuar. Sytë i kishte pak të përlotur nga emocioni. Urimin e parë e mori nga i vëllai, Agroni, kryetari i Federatës kosovare dhe anëtari i bordit në Federatën Evropiane të Xhudos.
“Kam pritur që Distria të jetë e pakonkurrencë. Por finalja është finale. Odette ka shumë përvojë po ashtu dhe kurrë nuk i dihet”, thoshte kryemjeshtri Kuka.
Numrin e saktë të medaljeve evropiane nuk e dinte. Nuk mund të fajësohet për këtë. Janë shumë. Plot 25. Plot nëntë të arta. Natyrisht, pa llogaritur këtu Evropianin e hapur në Prishtinë, ku u fituan një e artë e tri të bronzta, Evropianët U23 dhe ata për grupmosha më të reja.
Sa u takon Evropianëve për të rritur, nxënësit e Kukës kanë fituar medalje në Budapest, Montpellier, Baku, Kazan të Rusisë, Varshavë, Tel-Aviv, Minsk, Pragë, Lisbonë, Sofje, sërish Montpellier të Francës, Zagreb e Podgoricë.

Secila medalje ka një rrëfim interesant. E pakonkurrencë mbetet e arta e Majlindës në Kazan të Rusisë, në vitin 2016, kur bëri të mundur që garda ruse të rreshtohet në nderim të saj dhe që të intonohet himni i Kosovës e të shfaqet flamuri i Kosovës.
I veçantë mbetet edhe “Evropiani 2021” në Lisbonë, kur Kosova me dy të arta e një të bronztë ishte vendi më i suksesshëm. Në Montpellier të Francës, në vitin 2023, për herë të parë u fituan katër medalje nga Kosova në një kampionat kontinental për të rritur. Ka edhe shumë e shumë momente të rëndësishme e të dhëna interesante për 25 medaljet evropiane.
Pas finales në Podgoricë, kryemjeshtri Kuka nuk u shfaq shumë. Skena ishte për Distrinë, që e prisnin aktivitete të shumta.
“Kjo medalje po më pëlqen më shumë se dy të artat e kaluara. Më duket se edhe peshon më shumë”, thoshte Distria.
Kryemjeshtrin e takojmë sërish në restoranin në hyrje të “Moraçës”. Po merrte urime nga trajnerë e zyrtarë të vendeve të ndryshme. Falë punës dhe përkushtimit mahnitës të tij, himni i Kosovës ishte intonuar edhe një herë në një ngjarje të rëndësishme sportive, në një tjetër kryeqytet evropian. Kjo vazhdon e vazhdon.
2013 – Budapest: Majlinda Kelmendi (medalje bronzi)
2014 – Montpellier: Majlinda Kelmendi (medalje ari)
2015 – Baku: Nora Gjakova (medalje bronzi)
2016 – Kazan: Majlinda Kelmendi (medalje ari); Nora Gjakova (medalje bronzi)
2017 – Varshavë: Majlinda Kelmendi (medalje ari); Nora Gjakova (medalje bronzi)
2018 – Tel Aviv: Nora Gjakova (medalje ari); Distria Krasniqi (medalje argjendi)
2019 – Minsk: Majlinda Kelmendi (medalje ari); Nora Gjakova (medalje argjendi); Loriana Kuka (medalje bronzi)
2020 – Pragë: Distria Krasniqi (medalje bronzi); Loriana Kuka (medalje bronzi)
2021 – Lisbonë: Akil Gjakova (medalje ari); Distria Krasniqi (medalje ari), Nora Gjakova (medalje bronzi)
2022 – Sofje: Laura Fazliu (medalje argjendi); Distria Krasniqi (medalje bronzi)
2023 – Montpellier: Distria Krasniqi (medalje argjendi); Akil Gjakova (medalje bronzi); Nora Gjakova (medalje bronzi); Laura Fazliu (medalje bronzi)
2024 – Zagreb: Distria Krasniqi (medalje ari)
2025 – Podgoricë: Distria Krasniqi (medalje ari)
Majlinda Kelmendi: katër të arta, një të bronztë
Distria Krasniqi: tri të arta, dy të argjendta, dy të bronzta
Nora Gjakova: një e artë, një e argjendtë, pesë të bronzta
Akil Gjakova: një e artë, një e bronztë
Laura Fazliu: një e argjendtë, një e bronztë
Loriana Kuka: dy të bronzta