Luar Aliu ka pasur suksese të mëdha në ngjarjet e boksit në Kosovë e Shqipëri. Tregon se ka shtatë tituj të kampionit të Kosovës.
Aliu vlerëson se ka ardhur koha që suksese të ketë edhe në ngjarjet e rëndësishme ndërkombëtare. Sfidën e radhës do ta ketë pas pak ditësh në Sofje të Bullgarisë, ku mbahet Kampionati Evropian për grupmoshën U22.
Evropiani për seniorët e rinj mbahet prej 10 deri më 21 tetor, ndërsa Kosovën pos Aliut e prezantojnë edhe Loris Idrizi, Taulant Jakupi e Donat Syla.
22-vjeçari Aliu thotë se është përgatitur maksimalisht për Evropian. Ai është pjesë e ekipit të trajneres Marjola Sallauka, e ku ushtron edhe Donjeta Sadiku.
“Përgatitjet për këtë kampionat kanë shkuar në mënyrën më të mirë. Kemi bërë përgatitje maksimale së bashku me trajneren Marjola Sallauka. Po ndihem në formën më të mirë. Shpresoj që të më prij fati dhe të arrij suksesin më të madh në jetën time. Të stolisem me një medalje prej këtij kampionati”, ka thënë Aliu për KOHËN.
Stërvitjet me boksieren më të mirë në vend për Aliun janë gjithmonë të veçanta. Ai ndihet krenar me sukseset e Donjeta Sadikut.
“Donjetën e kam partneren e përhershme në sparing, gjatë gjithë karrierës sime. Gjithmonë duke stërvitur me të edhe rezultatet që i ka arritur i kam ndier si krenari. Shpresoj që edhe unë t’ia kthej në mënyrën më të mirë trajneres por edhe gjithë klubit”, u shpreh Aliu.
Gjatë karrierës, Aliu ka pasur dështime por thekson nuk do të ndalet asnjëherë derisa t’i realizojë ëndrrat.
“Shumë herë kam pasur dëshpërime, dështime, por edhe padrejtësi. Mirëpo nuk jam ndalur asnjëherë dhe shpresoj që do të shpërblehem dikur. Nëse jo në këtë kampionat, unë prapë nuk do të ndalem. Do ta jep maksimumin deri sa t’i arrij ëndrrat dhe synimet e mia”, ka theksuar boksieri i klubit Uniteti, i themeluar në vitin 2022.
Aliu së bashku me Donjeta Sadikun, por edhe me boksierë të tjerë, stërvitjet janë duke i kryer në një sallë të re. Salla gjendet në një hapësirë të hotelit “Grand” në Prishtinë.
“Salla i plotëson të gjitha kushtet. Është më e mira në rajon. Tashmë i kemi të gjitha kushtet dhe nuk është duke na munguar asgjë. Shpresoj që të na shpërblehet e gjithë puna që jemi duke e bërë”, ka deklaruar Luar Aliu.
Ai tashmë ka përvojë edhe në ngjarjet ndërkombëtare, ndërsa shpreson që t’iu afrohet sukseseve të shoqes së ekipit.