Luftarake

Lajm shumë i mirë, kampionia olimpike kthehet nga lëndimi

Nora Gjakova

Një lajm shumë pozitiv vjen për Kosovën në prag të Lojërave Olimpike “Parisi 2024”.

Kampionia olimpike në xhudo, Nora Gjakova, ka sanuar lëndimin dhe është gati për sfidat e ardhshme. Nora është shpresë e madhe e Kosovës për medalje në “Parisi 2024”.

Ajo kishte pësuar lëndim muskulor që më 16 shkurt, në Grand Slamin në Baku. Për shkak të lëndimit nuk kishte mundur të paraqitej në finale ndaj kanadezes Christa Deguchi. Prej atëherë Nora ishte në fazë rikuperimi, ndërsa ka punuar për të gjetur formën më të mirë. Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka është i kënaqur me gjendjen fizike të Norës. 

Nora ka bërë udhëtim të gjatë për në Peru, ku do të ketë garën testuese para Lojërave Olimpike. Në Lima të Perusë, zhvillohet gara “Panamerican Open”. Konkurrenca është solide, jo e nivelit të Norës, ndërsa asaj i duhet suksesi edhe për të përmirësuar pozitën në renditjen botërore. Në fakt Nora ishte shumë lartë në renditje, por për shkak të mungesës së gjatë ka rënë pak.

Për Lojëra Olimpike është e teta në ranglistë, ndërsa synimi i ekipit të Kosovës në xhudo është që ajo të dal në vendin e shtatë. 

“Gjendja e Norës është e mirë. Ka stërvitur mirë dhe tani e ka garën në Peru, që i shërben edhe për përmirësim të pozitës në renditje”, ka thënë trajneri Kuka për KOHËN.

Nora është xhudiste e nivelit botërorë. Ka medalje në të gjitha garat e mundshme. Dhe natyrisht e ka medaljen më të vlefshme të mundshme në sport – të artën olimpike. Atë e fitoi në Tokio tri vjet më parë.

Në Peru garon edhe motra e Norës, Debora Gjakova. Ajo paraqitet në kategorinë deri 63 kilogramë. 

Gara e xhudos në “Parisi 2024” zhvillohet prej 27 korrikut deri më 2 gusht.