Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka thënë se xhudistja Distria Krasniqi ka dominuar përballë kundërshtareve të saj në Kampionatin Evropian në Podgoricë të Malit të Zi. Distria fitoi të artën në kategorinë deri 52 kilogramë.
Kryemjeshtri Kuka ka theksuar se Distria po ecën sigurt drejt medaljes së tretë olimpike.
“Thjesht, çdo Kampionat Evropian, Botëror apo Lojëra Olimpike, garat elitare gjithmonë janë sfida të çuditshme dhe të paparashikueshme. Është viti i 13-të që sporti i xhudos sjell medalje nga Evropianet për të rritur. Nuk e di sa medalje janë, ndoshta mbi 30 medalje. Është kënaqësi e veçantë, pasi nuk është vetëm medalje, por medalje e artë. Ishte absolut një dominim i Distrisë. Kjo u pa edhe në finale ndaj rivales së përjetshme, edhe Majlindës, edhe Distrisë. Dominoi në tërësi dhe mendoj se Distria është duke ecur me hapa të mëdhenj drejt medaljes së tretë olimpike. Ndoshta është herët të flasim, por qasja dhe përkushtimi i saj, puna që po e bën pavarësisht dy medaljeve olimpike që i ka e shumë medalje të tjera evropiane e botërore, po flasin vetë. Do Zoti që ajo ta ketë shëndetin e që të mos ketë lëndime dhe po besoj shumë që do të shkojë tutje deri te medalja e tretë olimpike.
Krasniqi fitoi të artën në lojërat olimpike “Tokio 2020”, kurse të argjendtën në “Parisi 2024”.
