Presidenti i Federatës së Xhudos të Kosovës (FXHK) dhe drejtori sportiv i Federatës Evropiane të Xhudos (EJU), Agron Kuka, ka folur për rritjen e popullaritetit të xhudos në Kosovë si dhe për zgjerimin e garave të EJU-së. Kuka po ashtu ka folur edhe për ngjarjen e fundit të organizuar - Evropianin U23.
“Kemi pasur vërtetë shfaqje të bukur nga të gjithë garuesit në xhudo. Është e qartë se kjo moshë po bëhet gjithnjë e më popullore. Kishte disa konkurrentë seriozë dhe tani është një nivel shumë i lartë. Mendoj se ne kemi nevojë për këtë grupmoshë, ajo tregon një potencial të madh dhe disa prej tyre do të jenë në kërkim të paraqitjes në Lojërat Olimpike ‘Los Angeles 2028’”, ka thënë Agron Kuka.
Ekipi i Kosovës vazhdon të rritet dhe pas një arritjeje të mrekullueshme e të suksesshme olimpike, fokusi është në arritjen e zbatimit të vlerave te sportistët e rinj.
“Në fakt xhudoja në Kosovë tani është me të vërtetë popullore, por është praktikuar që nga viti 1968, pra që një kohë të gjatë. Filluam të punojmë më shumë, më seriozisht dhe puna ka sjellë suksesin. Sidomos në disa pjesë të vendit dhe mund t’ju them se kërkon shumë punë, dhe jo vetëm kaq por edhe mbështetje nga qeveria. Në fillim nuk kishim asgjë, e bënim vetëm për dashurinë ndaj sportit. Pastaj, pas disa sukseseve, patëm pak mbështetje por thjeshtë vazhduam”, ka shtuar Kuka.
“Pas 15 vjetësh ne patëm fatin që kishim disa talente të mëdha, të cilët ishin pjesëmarrësit e parë në Lojërat Olimpike në Rio, dhe në atë kohë me të vërtetë ishim me fat që morën një medalje të artë. Që atëherë, ne morëm më shumë medalje olimpik dhe mendoj se është një shembull i mirë për shtetet e tjera. Thjesht punoni profesionalisht dhe me sakrificë të madhe. Nëse bëjmë krahasim me periudhën para se të fitonim medaljen olimpike, pjesëmarrja e femrave është shumë me e madhe në Kosovë dhe tani ato trajtohen njësoj dhe gjenerata e re e xhudisteve janë shumë më serioze se djemtë. Mendoj se kështu e arrijmë suksesin, ato kanë një aftësi më të madhe për të dëgjuar dhe për të ndjekur udhëzimet. Vajzat tona, Majlinda, Nora dhe Distria, dhanë një shembull vërtetë të mirë”.
Termi “suksesi sjell sukses”, ka qenë i zbatueshëm për Kosovën dhe për garuesit e rinj është e qartë se ‘nëse ajo ka arritur majat, mundem edhe unë’. Në këtë kuptim, xhudo është një sport i fuqishëm dhe mund të ketë një ndikim të madh në brezat e ardhshëm.
“Xhudo në Kosovë është sporti më i suksesshëm dhe vazhdon të jetë top-sporti. Medalja e artë në Rio ishte një shembull i madh për gjeneratën e ardhshme, jo vetëm për të inkurajuar vajzat në xhudo, por në të gjitha sportet. Ka nxitur qeverinë për investime dhe tani kemi një program shtetëror që po përpiqet të promovojë vendin përmes xhudos”, ka theksuar Agron Kuka.
“Ne kemi kampe të shumta ndërkombëtare, një qendër moderne kombëtare të xhudos dhe në disa qytete do të kemi qendra të specializuara vetëm për xhudo. Kjo sepse xhudo ndodhet kryesisht në perëndim të vendit tonë, në qytetin tonë pasi për një kohë të gjatë ka qenë çështje familjare. Tani po mundohemi të fusim xhudon në shkolla. Aktualisht kemi 20 trajnerë që po bëjnë trajnime dhe po shkon mirë. Mendoj se xhudo ka një të ardhme të ndritur në Kosovë”.
Kuka nuk dëshiron që vetëm në Kosovë të përhapet fuqishëm sporti i xhudos, por në të gjithë kontinentin. Puna në sektorin e sportit të EJU-së i mundëson Kukës të jetë pjesë e zhvillimit të xhudos. Ka një garë të re në kalendar, e cila në fakt ka të bëjë më shumë me edukimin sesa konkurrencën. Kupa e Shpresave U15 është koordinuar me një seminar të specializuar me një ekspert Kodokan dhe një “Hero Evropian”.