Boks

Krasniqi fiton me pikë ndaj portugezit Silva

Haxhi Krasniqi

Boksieri kosovar, Robin (Haxhi) Krasniqi, ka mposhtur portugezin Jorge Silva në meçin e zhvilluar në Augsburg të Gjermanisë, të shtunën në mbrëmje.

Krasniqi fitoi me pikë pas dhjetë raundesh. 

Përballja i takonte kategorisë gjysmë të rëndë e s’ishte e vlefshme për ndonjë titull apo kualifikuese për ndonjë titull.

Për 37-vjeçarin Krasniqi ishte meçi i parë nëntë muaj pas fitores shumë të diskutueshme ndaj Nadjib Mohammedit në Prishtinë, më 5 gusht të vitit të kaluar.

Për kosovarin ishte fitorja e 54-t në karrierë. Krasniqi ka pësuar shtatë humbje në karrierë në boksin profesionist.

Krasniqi e kishte dominimin, por pa ndonjë shkëlqim të veçantë. Ka dhënë më shumë grushte se portugezi, që kryesisht është mbrojtur dhe dukej se vetëm po priste fundin e duelit. 

Krasniqi ka paralajmëruar edhe pak meçe të tjera para fundit të karrierës. 

Për portugezin 40-vjeçar Jorge Silva ishte humbja e dhjetë në karrierë. Ka edhe 22 fitore.

Në mbrëmjen solide të boksit në Augsburg kanë boksuar edhe disa shqiptarë të tjerë.