Luftarake

Kosova paraqet nëntë boksierë për Evropianin në Beograd

Kosova paraqet nëntë boksierë për Evropianin në Beograd

Plot nëntë boksierë i ka paraqitur Federata e Boksit e Kosovës për Kampionatin Evropian që mbahet në Beograd të Serbisë. Kampionati Evropian për boksierët e nivelit senior mbahet prej 15 deri më 29 prill. 

Në të vërtetë gjasat që boksierët e Kosovës të garojnë në Beograd janë të vogla. Megjithatë, Federata e Boksit e Kosovës ka vendosur që të kryejë pjesën e saj të punës. Ka paraqitur ekipin.

“Ne jemi plotësisht të gatshëm të garojmë në Evropian. Ekipin e kemi paraqitur dhe tani presim hapin e radhës nga përgjegjësit. Kushti i vetëm nga ana jonë është që të garojmë të barabartë me të gjitha vendet e tjera. Pra që të shfaqen të gjitha simbolet e shtetit të Kosovës. Të shohim. Jemi në pritje”, ka thënë për KOHËN, Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës.

Bashkim Bajoku, Lorent Murati, Shpëtim Bajoku, Patriot Behrami, Jozef Rrasi, Taulant Jakupi, Donat Syla e Shpejtim Shabani janë boksierët e përzgjedhur për Evropian. Është paraqitur edhe boksierja Donjeta Sadiku. Kosova në asnjë ngjarje nuk paraqitet me kaq shumë boksierë. Por për Evropianin e veçantë edhe numri i pjesëmarrësve potencialë është i veçantë.

Një muaj më parë, Federata e Boksit e Kosovës i është drejtuar me letër zyrtare Unionit Evropian të Boksit (EUBC). Me përmbajtjen e letrës janë njoftuar edhe Federata Botërore e Boksit Amator (IBA) dhe Federata e Boksit e Serbisë, si organizatore teknike e Evropianit. 

“Kërkojmë nga Konfederata Evropiane e Boksit që të zbatohen masa dhe udhëzime strikte që garantojnë mundësi të barabartë për të gjithë sportistët, pavarësisht nga gjinia, nacionaliteti apo çdo karakteristikë tjetër që mund të jetë bazë për diskriminim. Ne besojmë se Kampionati Evropian i Boksit në Beograd mund të shërbejë si një fener shprese dhe uniteti, duke shfaqur frymën e vërtetë të boksit në botë”, shkruan në letrën e federatës kosovare për EUBC-në.

Përgjigjja deri më tani ka munguar. Dhe kjo është shenjë që pjesëmarrja e barabartë e boksierëve kosovarë nuk pritet të lejohet. 

Në të kaluarën boksierët kosovarë nuk janë lejuar të paraqiten në ngjarjet ndërkombëtare që mbahen në Serbi. Në disa raste boksierët nuk janë lejuar të futen në territorin e Serbisë, ndërsa në raste të tjera nuk u është garantuar pjesëmarrja me simbole, përkatësisht pjesëmarrja e barabartë me delegacionet e tjera.

“Ka një muaj që kemi dërguar letrën, me të cilën janë njoftuar edhe institucionet e vendit. Por deri më tani nuk ka përgjigje. Shpresojmë se do të ketë ndonjë lëvizje në ditët e ardhshme”, ka shtuar Latif Demolli.

Kampionati Evropian është prej ngjarjeve kryesore të vitit në boksin amator.