Plot 427 xhudistë nga 47 shtete të ndryshme do të garojnë në Kampionatin Evropian që prej të enjtes deri të dielën mbahet në Zagreb të Kroacisë. Në mesin e pjesëmarrësve janë edhe pesë xhudistë të Kosovës.
Ekipi i kryemjeshtrit Driton Kuka ka dy mungesa të mëdha për kampionatin kontinental. Dy prej xhudisteve më të mira, Nora Gjakova e Laura Fazliu mungojnë për shkak të lëndimeve. Ato megjithatë pritet të jenë gati për ngjarjen kryesore të vitit, Lojërat Olimpike.
Ndonëse mungojnë dy prej më të mirave, Nora e Laura, Kosova ka adutë për medalje. Evropiani është ngjarje ku Kosova fiton rregullisht medalje dhe kështu pritet të jetë edhe këtë herë.
Distria Krasniqi është bartësja e parë në kategorinë deri në 52 kilogramë dhe rrjedhimisht favoritja kryesore për të artë. Distria për medalje pritet të sfidohet nga italiania Odette Giuffrida, hungarezja Reka Pupp e izraelitja Gefen Primo.
Distria garon të enjten. Në xhiron e parë është e lirë, ndërsa në të dytën përballet me ukrainasen Anna Borodina.
Të enjten garon edhe Flaka Loxha, në kategorinë deri në 57 kilogramë. Kroatja Tihea Topolovec do të jetë përballë saj në xhiron e dytë. Flaka nuk është në mesin e bartëseve dhe rreshtimi në tetë më të mirat do të ishte sukses për të.
Të premten garojnë Akil Gjakova e Dardan Cena. Të dy paraqiten në kategorinë deri në 73 kilogramë. Akili e Dardani po ashtu nuk janë bartës. Martin Hojak do të jetë përballë Akil Gjakovës në xhiron e parë. Dardan Cena xhiron e parë, në bazë të shortit, e kalon pa luftë.
Akil Gjakova javën e kaluar ishte i ndaluar nga policia, pas akuzave për dhunë në familje. U lirua të premten dhe menjëherë iu kthye stërvitjeve. Gjykata kishte refuzuar kërkesën që Gjakovës t’i caktohet masa e paraburgimit.
Akili vlerësohet prej xhudistëve më të mirë në botë në kategorinë deri në 73 kilogramë dhe është kandidat për medalje në Evropianin në Zagreb.
Të shtunën medalje evropiane kërkon Loriana Kuka në kategorinë deri në 78 kilogramë. Loriana po ashtu nuk është në mesin e bartëseve. Në xhiron e dytë do ta ketë përballë portugezen Patricia Sampaio.
Evropiani ka shumë peshë, por nuk është fokusi kryesor i ekipit të kryemjeshtrit Driton Kuka.
Synimi i madh për këtë vit është gara e xhudos në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Medalja eventuale në Paris do të konfirmonte punën e jashtëzakonshme të Kukës dhe nxënësve të tij. Evropiani shërben, ndër të tjera, për të testuar formën para ngjarjes kulmore.
Prej 19 deri më 23 maj në Abu Dabi do të mbahet Kampionati Botëror i Xhudos. Në Lojërat Olimpike garat e xhudos mbahen prej 27 korrikut deri më 2 gusht.