Më 19 shkurt Federata e Boksit e Kosovës njoftoi për pjesëmarrjen e boksierëve më të mirë të vendit në turneun “Strangja” që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Të njëjtën ditë Federata kosovare e boksit njoftoi për anëtarësimin në “World Boxing”.
Pjesëmarrja në “Strangja” dhe anëtarësimi në “World Boxing” nuk janë në harmoni. Para pranimit në “World Boxing”, Federata e Boksit e Kosovës ka njoftuar se është larguar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit (IBA). Vendimi për largim nga IBA dhe kalim në “World Boxing” u mor nga Kuvendi i Federatës së Boksit të Kosovës.
“Strangja”, i njohur si turneu më i vjetër i boksit amator në Evropë, është në kalendarin e EUBC-së, konfederatës evropiane të IBA-s. Rrjedhimisht është garë e IBA-s, ku Kosova, në bazë të vendimit, nuk do të duhej të ishte pjesë.
Për më tepër, në “Strangja”, në dorezat e boksierëve shkruan “IBA”, me shkronja shumë të theksuara.
Kosova nuk është vendi i vetëm që është anëtarësuar në “World Boxing”, e që po paraqitet në “Strangja”. Ka boksierë pjesëmarrës edhe nga vende të tjera, që më herët kanë lëvizur nga IBA për në “World Boxing”.
Turneu në Sofje po mbahet në kohën kur Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e njohu përkohësisht “World Boxing” si organizatë botërore të boksit amator. Ky vendim, që u mor të mërkurën, hap rrugën për kthim të boksit në programin olimpik. Aktualisht nuk është.
Donjeta Sadiku e zhvilloi të premten meçin e dytë në turneun e madh. Fitoi ndaj turkes Evin Erginoguz dhe u kualifikua në finale. Në finale paraqitet të dielën.
Ndërkohë të shtunën në gjysmëfinale paraqiten Bashkim Bajoku dhe Loris Idrizi. Të dy tashmë e kanë të sigurt medaljen e bronztë. Bajoku çerekfinalen e kaloi pa luftë, pasi një boksier nga Kazakistani nuk e arriti peshën. Ndërkohë, Idrizi fitoi ndaj një boksieri nga Bullgaria.
“Këto janë medaljet e para pas më shumë se 40 vjetësh në turneun ndërkombëtar ‘Strangja’”, ka njoftuar Federata e Boksit e Kosovës.
Në sajtin zyrtar të IBA-s, Kosova ende figuron si anëtare. IBA është organizata tradicionale e boksit amator, por që në vitet e fundit ka prishur plotësisht raportet me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. IOC-ja ia hoqi njohjen IBA-s, që vlerësohet se ka afërsi të madhe me Rusinë. Kryetar i IBA-s është rusi Umar Kremlev. IOC-ja mori iniciativë për krijimin e “World Boxing”, që tashmë i ka mbi 75 shtete anëtare. Ky ishte prej kushteve për pranim në IOC.
Përkundër vendimeve e zhvillimeve të shumta, situata rreth boksit amator, përkatësisht boksit olimpik, mbetet shumë e paqartë. Federatat nacionale, duke përfshirë atë të Kosovës, janë në situatë shumë të vështirë.
Nga Komitetet Olimpike nacionale kanë pasur presion për të kaluar nga IBA në “World Boxing”, ndërkohë që IBA ende i organizon garat kryesore.
Ka shumë federata nacionale, duke përfshirë atë të Kosovës, që kanë tendencë të vazhdojnë me paraqitje në aktivitetet e të dy federatave. Në këtë drejtim shkon edhe paraqitja aktuale në “Strangja”.