Ish-kampioni i Arteve Marciale të Përziera (MMA), Khabib Nurmagomedov, është shoqëruar për të dalë nga një aeroplan pasi refuzoi të lëvizte nga një ulëse dalëse, raporton "BBC".
36-vjeçari nga Dagestani i Rusisë kishte një mosmarrëveshje me një stjuardesë përpara se të largohej nga fluturimi i “Frontier Airlines” nga Las Vegasi për në Los Angeles.
Në një video të incidentit të shpërndarë gjerësisht në mediat sociale të dielën e të hënën, Khabibit i kërkohet të ndryshojë vendin ose të zbresë nga avioni dhe të rezervojë fluturim tjetër.
Videoja, që zgjat pak më shumë se një minutë, nuk është verifikuar nga BBC dhe nuk është e qartë se çka ndodhi para pjesës së incizuar. Por ish-kampioni i UFC-së, serisë kryesore të Arteve Marciale të Përziera, ka bërë një shpjegim të hënën në rrjetet sociale.
Kur i kërkohet të ndryshojë vendin, ish-kampionit të kategorisë së lehtë në UFC i thuhet: “Sepse ato (stjuardesat) nuk janë të kënaqura me ju që jeni ulur në rreshtin e daljes emergjente”.
Luftëtari i famshëm dëgjohet duke thënë: “Nuk është e drejtë”.
Më pas ai paralajmërohet sërish dhe shoqëruesja thotë se do të thërrasë një mbikëqyrës nëse Khabibi nuk lëviz. Khabibi përgjigjet se do të dëshironte të ulej aty, përpara se t’i kërkohej që të largohej nga një anëtar tjetër i stafit. Nurmagomedov më pas është larguar i qetë nga avioni.
Khabib Nurmagomedov është legjendë e UFC-së. Ai ka fituar të gjitha 29 luftërat, disa prej të cilave vlerësohen spektakolare. Ka mposhtur yllin tjetër, Conor McGregor, në vitin 2018.
Në një deklaratë në X, Khabibi tha: “Zonja që më bëri pyetjen ishte shumë e vrazhdë që në fillim, edhe pse unë flas shumë mirë anglisht dhe mund të kuptoj gjithçka. Jam pajtuar që të më ndihmonte, por ajo ka insistuar që të më largonte. Cila ishte baza për këtë, racore, nacionale apo diçka tjetër, nuk jam i sigurt. Pas dy minutash bisedë ajo thirri sigurimin dhe unë u largova nga ky aeroplan. Më vonë bëra fluturimin me një tjetër aeroplan dhe arrita në destinacionin tim”.
Khabib ka shtuar se bëri çdo gjë për të qëndruar i qetë dhe i respektueshëm dhe kjo mund të shihet në video.
“Por anëtarët e ekuipazhit në atë aeroplan mund të bëjnë punë më të mirë herën tjetër dhe thjesht të sillen mirë me klientët”.
Duke iu përgjigjur postimit të Khabibit në X, “Frontier Airlines” shkroi: “Jemi në dijeni për incidentin dhe po hetojmë”.
Në një deklaratë për BBC Sport, linja ajrore tha: “Kemi rimbursuar klientin dhe do të vazhdojmë direkt me të”.
Khabib është prej sportistëve më të respektuar të disiplinave luftarake dhe jo vetëm.
Khabib Nurmagomedov removed from Frontier Airlines flight after flight attendant “didn’t feel confident” in his ability to assist in the exit row.
Follow: @AFpostpic.twitter.com/fo0mumY53D— AF Post (@AFpost) January 13, 2025