Luftarake

Khabib Nurmagomedov pas një tjetër fitoreje: Ne jemi dinasti

Khabib Nurmagomedov

Në ngjarjen e arteve marciale të përziera (MMA), “Bellator Champions Series 4” në San Diego të SHBA-së për titull të kampionit në kategorinë e lehtë u përballën dy luftëtarët nga Rusia, Usman Nurmagomedov dhe Alexandr Shabliy. Nurmagomedovi në fund fitoi me vendim të gjyqtarëve. 

Ai dominoi plotësisht dhe shënoi fitoren e 19-të në po aq luftëra. 

26-vjeçari Usman Nurmagomedov është i afërm i legjendës së MMA-së dhe ish-kampionit të UFC-së, Khabib Nurmagomedovit.  Khabibi qëndroi në këndin e Usmanit në luftën e së shtunës. 

Pas fitores, Khabibi ka thënë një deklaratë në kafaz. Ka folur për atë se sa krenar është për nxënësit e tjerë të babait të tij, tashmë të ndjerë, Abdulmanapit. 

“Mendoj që Usmani në këtë moment është një prej luftëtarëve më të mirë në botë në kategorinë e lehtë. Unë isha dikur më i miri, tani është vëllai ynë, Islami (Makhachev), e Usmani është i ardhshmi. Kjo është dinasti”, ka thënë Khabib Nurmagomedov.

Shkolla e Dagestanit për mundje dhe sporte tjera luftarake tashmë është prej më të suksesshmeve në botë.