Luftarake

Joshua nuk e ka ndërmend të pensionet, pritet ta shfrytëzojë të drejtën për rimeç me Duboisin

Daniel Dubois duke goditur Anthony Joshuan

Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë në boks, Anthony Joshua, ka thënë se nuk mendon të pensionohet pas humbjes së rëndë me nokaut në raundin e pestë nga bashkëkombësi Daniel Dubois të shtunën mbrëma në Wembley. 

Dubois e rrëzoi katër herë Joshuan gjatë luftës për titullin e botës në versionin IBF. 

Në konferencë për media pas meçit Joshua tha se e ka ndërmend të vazhdojë. 

“A dua të vazhdoj të luftoj? Sigurisht që dua të vazhdoj. Ne patëm rastin për sukses. Fatkeqësisht dolëm shkurt kësaj radhe...13 lufta për titull bote, jo të gjitha kanë qenë të suksesshme, por secila ka qenë argëtuese. Po duam të shkruajmë histori për boksin britanik dhe mendoj se po e bëjmë këtë”, tha Joshua, që e pati rastin të bëhej kampion bote në peshën e rëndë për herë të tretë. 

E promotori i tij Eddie Hearn ka treguar se Joshua e ka klauzolën për rimeç të menjëhershëm me Duboisin dhe u shpreh i bindur se do ta shfrytëzojë këtë. 

Joshua të shtunën mbrëma pësoi humbjen e katërt në karrierë karshi 28 fitoreve. Duboisi shënoi fitoren e 22-të karshi dy humbjeve.