Imane Khelif, boksierja algjeriane që fitoi medalje të artë në Lojërat Olimpike të Parisit, mes një debati për gjininë, ka treguar planet e saj për të kaluar një kategori më lart përpara se të garojë në Lojërat e ardhshme Olimpike në Los Angeles.
Khelif ishte në qendër të një stuhie të madhe në Lojërat Olimpike të vitit të kaluar. Ka pasur polemika të shumta nëse 25-vjeçarja dhe Lin Yu-ting nga Tajvani kanë pasur të drejtë të garojnë me boksieret e tjera.
Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) kishte pretenduar se Khelif dhe Lin nuk kishin kaluar testet e përshtatshmërisë gjinore. Ato megjithatë garuan, me vendim të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe fituan medalje të arta. Khelif ishte kampione në kategorinë deri 66 kilogramë, ndërsa Lin Yu-ting në kategorinë deri 57 kg.
Në një intervistë për “Marca”, Khelif ka konfirmuar se planifikon të garojë në Lojërat Olimpike 2028, por në një kategori me peshë më të madhe.
Në fakt kategoritë në boks kanë pësuar modifikim dhe rrjedhimisht edhe Khelif do të garojë në kategori tjetër për dallim nga Parisi.
“Jam e fokusuar që të fitoj medaljen e dytë të artë olimpike në vitin 2028 dhe po ashtu të përgatitem për të kaluar në profesionalizëm”, ka thënë Khelif.
“Ajo që dua është të bëj punë të përkryer, të jem në formë më të mirë se që isha në Paris. Tani kam balancë më të mirë mentale dhe fizike. Për kalim në profesionalizëm do të pres kontratën e duhur. Një ofertë e mirë do të më bindë. Me ndryshimet e bëra në kategori, tani më duhet të garoj në kategorinë deri 70 kilogramë. Në Paris fitova në kategorinë deri 66 kilogramë, por nuk mendoj se ky ndryshim do të jetë problem për mua. Jam e gjatë 180 centimetra dhe po studioj me ekipin se si të përshtatem më së miri në kategorinë e re”, ka thënë 25-vjeçarja.
Ndonëse paraqitja e saj olimpike u shoqërua me kundërthënie të shumta, Khelif beson se është simbol i shumë grave nëpër botë.
Në shkurt IBA, që kontrollohet nga rusët, njoftoi se ka paditur Komitetin Olimpik Ndërkombëtar që lejoi Khelifin dhe Linin të garojnë në “Parisi 2024”.
IBA më nuk njihet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Boksi është kthyer në programin olimpik vetëm pasi është formuar organizata tjetër botërore e boksit amator, e njohur si World Boxing. Kjo organizatë do të publikojë rregullat e përshtatshmërisë gjinore në javët e ardhshme.