(E përditësuar 16:20) - Laura Fazliu ka mposhtur bartësen e dytë dhe bartësen e parë për ta fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të xhudos. Për Laurën është sukses historik, më i madhi në karrierën e deritashme.
Të martën në Botërorin në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, Laura u rendit e treta në kategorinë deri 63 kilogramë. Për medalje të bronztë e mposhti kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard. Kanadezja ishte bartësja e parë e kategorisë deri 63 kg në Botëror. Ndaj Beuchemin-Pinardit, 23-vjeçarja i kishte një fitore e dy humbje. Tani bilanci me të është 2:2.
Ndaj kanadezes, Laura kishte kontrollin e plotë. Realizoi kundërsulm thuajse të përkryer për uazari. Më pas dominoi deri në fund për fitore bindëse. Kanadezja i kishte edhe dy dënime, që dëshmon për dominimin e kosovares. Pas luftës, Laura shpërtheu në lot. Festa ishte emocionale edhe në krahërorin e Majlinda Kelmendit, që udhëhoqi Laurën në Botëror.
Në luftën e parë të repesazhit, Laura Fazliu në mënyrë impresive, me Ippon të bukur, e mposhti australianen Katharina Haecker. Ajo ishte bartësja e dytë, ndërsa Laura e treta.
Për xhudisten kosovare ishte gara e parë pas pauzimit prej disa muajsh për shkak të lëndimit muskulor. Laura ishte lënduar në Grand Slamin në Tbilisi të Gjeorgjisë më 22 mars. Prej atëherë nuk ka garuar.Si bartëse e tretë, Laura Fazliu ishte e lirë në xhiron e parë. Në të dytën e mposhti kroaten
Katarina Kristo. Fitoi me hedhje të bukur për uazari. Më pas, Laura fitoi ndaj ruses Dali Luliashvili, që garon si sportiste e pavarur. Ndaj saj realizoi hedhje për uazari me të nisur lufta. E vazhdoi dominimin dhe realizoi tjetër hedhje për Ippon dhe fitore bindëse.
Por në çerekfinale, Laura nuk shfaqi thuajse asgjë. Përballë e kishte sllovenen Andreja Leshki prej të cilës i kishte humbur edhe dy luftërat e kaluara në ngjarje të mëdha. Lufta ishte taktike, por pa shumë veprim nga Laura. Leshki fare në fund realizoi hedhje për uazari. Ajo vazhdoi në gjysmëfinale, ndërsa Laura mbeti në repesazh. Në fund Laura fitoi medalje e Leshki mbeti pa të.
Laura Fazliu kishte medalje evropiane, medalje në Masters , garat Grand Slam e ato Grand Prix. Tani ka edhe në Botëror.
Ajo i bashkohet grupit shumë elitar të xhudisteve kosovare me medalje botërore. Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Loriana Kuka janë në këtë grup. Kosova tani i ka tetë medalje për të rritura në Botërorin e xhudos.
Laura ka dhënë shenjat e duhura pas lëndimit. Dhe tani prej saj pritet suksesi kulmor – medalja olimpike.
Ky është synimi i madh i Laurës dhe i trajnerit të saj Driton Kuka.
“Është më e mira në botë”, ka thënë Kuka për KOHËN. “I duhen edhe pak gjëra që t’i përmirësojë për ta dëshmuar këtë”.
Laura i kthehet menjëherë punës për ta arritur kulmin në Paris në fund të korrikut.
Laura me super-Ippon, një fitore larg medaljes botërore
E përditësuar 13:35 - Laura Fazliu është vetëm një fitore larg medaljes së parë në Kampionatin Botëror të xhudos.
Në repesazh të kategorisë deri 63 kilogramë, Laura e mposhti australianen Katharina Haecker. Ndaj saj realizoi Ippon të shpejtë me një superhedhje.
Tani Laurës i duhet edhe një fitore për medalje të bronztë në kategorinë deri 63 kilogramë. Haeckerin, që ishte bartëse e dytë, Laura e ka mposhtur për herë të dytë në karrierë. Nuk ka humbje prej saj.
Medalja e bronztë do të ishte sukses madh për Laurën dhe për Kosovën në përgjithësi.
Laura mposhtet nga sllovenja Leshki, vazhdon në repesazh
E përditësuar 13:09 - Laura Fazliu është mposhtur sërish nga sllovenja Andreja Leshki. Për herë të tretë rresht, dhe atë në ngjarje të mëdha, Laura ka pësuar nga sllovenja.
Këtë herë pësoi në çerekfinale të Botërorit në Abu Dabi. Lufta ishte e fortë dhe më shumë taktike. Por Laura shfaqi pak dhe Leshki realizoi uazari pak para fundit të kohës së rregullt.
Tani Laura Fazliu vazhdon në repesazh. I duhen dy fitore për medalje të bronztë botërore.
Fillimisht përballë do ta ketë australianen Katharina Haecker.
Laura e mposht edhe xhudisten ruse
E përditësuar 12:34 - Laura Fazliu ka vazhduar me fitore në Botërorin e xhudos. Në raundin e tretë e mposhti xhudisten ruse, që garon si e pavarur, Dalu Liliashvili.
Ndaj saj realizoi uazari me të nisur lufta. E vazhdoi dominimin dhe më pas realizoi edhe Ippon.
Laura tani është në çerekfinale të Kampionatit Botëror, në kategorinë deri 63 kg.
Fazliu mposht kroaten Kristo në Botëror
Laura Fazliu ka dominuar ndaj kroates Katarina Kristo në luftën e parë në Kampionatin Botëror të xhudos në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Laura e mposhti kroaten me hedhje të bukur për uazari. Me fitore, xhudistja kosovare u kualifikua në xhiron e tretë të kategorisë deri 63 kilogramë.
Laura në xhiron e parë ishte e lirë.
Ajo po kthehet pas një lëndimi që e mbajti jashtë për disa muaj.
Me Kriston, Laura kishte një fitore e një humbje.