Arnold Gjergjaj, boksieri më i suksesshëm nga Zvicra në kategorinë e rëndë, do ta ketë luftën më të madhe në karrierë. Në nëntor, “Kobra” dëshiron ta sjell titullin EBU të Evropës në Zvicër për herë të parë
(Blick) - Kobra është në gjah. Kampioni nga Zvicra në WBF, Arnold Gjergjaj, që ia ka përshtatur vetes nofkën “Kobra”, kthehet në skenën e madhe.
Si njoftoi ekipi i tij të martën, boksieri i kategorisë së rëndë nga Baseli, synon ta sjellë titullin evropian EBU për herë të parë në Zvicër, në nëntor.
Më 23 nëntor ai do të boksojë për këtë titull me ukrainasin Oleksandr Zakhozhyi në qendrën olimpike në Heidelberg. Është lufta më e rëndësishme e karrierës së tij deri më tani.
Një sfidë e madhe e pret Gjergjajn. Kundërshtari i tij është kampion në fuqi i Evropës dhe udhëton për në Gjermani me bilancin impresiv prej 19 fitoresh në 19 luftëra.
Gjergjaj megjithatë ndihet gati dhe është në formë, thonë nga ekipi i tij. Ai ka ushtruar dy deri në tri herë në ditë për javë të tëra dhe po përgatitet me kujdes. Ka shumë çka për të cilën ia vlen.
Një fitore ndaj Zakhozhyit do ta dërgonte karrierën e Gjergjajt në nivel tjetër. Si kampion i Evropës në EBU dyert do të mund të hapeshin për meçe tjera të mëdha, për shembull në Londër, Dubai e Riad. Por që kjo të ndodhë fillimisht duhet që të eliminohet ukrainasi.
Gjergjaj në profesionalizëm ka 38 fitore, prej tyre 27 me ndërprerje. Ka edhe tri humbje. Së fundi boksoi në prill dhe shënoi fitore.