Boksieri francez Bruno Surace ka shkaktuar senzacion të madh duke e nokautuar të shtunën mbrëma në Tijuana të Meksikës, yllin e boksit Jaime Munguia, në raundin e gjashtë.
Surace, që ka titullin EBU Silver në kategorinë e mesme, ishte ngjitur një kategori më lartë për t’u përballur me Munguian.
Ai ishte parë vetëm si një pengesë e radhës për Munguian, që po parashihej të luftonte për titull bote vitin e ardhshëm.
Por, Surace shkaktoi befasi të madhe.
Ndonëse nisi keq dhe mori një nokdaun në raundin e dytë, francezi nuk u dorëzua. Ai në raundin e gjashtë i dha një të djathtë të fuqishme Munguias duke e nokautuar atë.
Për Suracen ishte fitorja e 26-të karshi dy barazimeve. Munguia pësoi humbjen e dytë karshi 44 fitoreve. Ai humbjen tjetër e kishte pësuar nga superylli Saul “Canelo” Alvarez.