Luftarake

Fortesa e bindur se do ta fitojë të bronztën në Evropian

Fortesa Orana - Luftarake

Karateistja Fortesa Orana për herë të tretë si seniore do të garojë për medalje në Kampionatin Evropian. Aktualisht po paraqitet në Evropianin që po mbahet në Zarë të Kroacisë.

Në dy Evropianët e kaluar, përkatësisht të vitit 2019 dhe 2021, Orana doli e pesta. Por Fortesa është e bindur se Evropiani në Kroaci është “e treta e vërteta” për të. Luftën për të bronztën evropiane Orana do ta ketë të premten.

“Besoj se do ta fitoj medaljen e bronztë në këtë Evropian. Qe tri herë jam në luftë për medalje të bronztë të Evropës dhe besoj se është radha ime. E kam pritur këtë ditë. Kam zhvillur shumë gara për të qenë sa më e gatshme për këtë Evropian. Besoj se jam në formë të mirë dhe do të jap maksimumin për ta fituar këtë medalje. Besoj se do ta bëj ëndrrën realitet. Do të ishte sukses i madh për mua, për gjithë sakrificën që kam bërë”, ka thënë Orana të mërkurën për KOHËN.

Ajo pjesën e parë të garës e kishte të mërkurën. Fitoren e parë e arriti ndaj karateistes nga Austria, Lora Ziller. Në raundin e dytë eliminoi karateisten e Italisë, Clio Ferracuti, ndërsa në luftën e tretë ishte bindëse ndaj bullgares Aleksandra Stubleva.

U ndal në luftën e katërt, përkatësisht në gjysmëfinale nga gjermanja Johanna Kneer, e cila në finale do të përballet me anglezen Rochelle Walters.

Fortesa Orana udhëhoqi Kosovën drejt medaljes së bronztë botërore në garat ekipore. Botërori u organizua në fund të vitit të kaluar në Budapest të Hungarisë. Tani ka synim të bronztën evropiane në gara individuale.

Në Evropian po marrin pjesë edhe disa karateistë.