Luftarake

Federata Evropiane e dënon trajnerin, federata kosovare paraqet “sukseset”, KOK-u hesht për incidentin

Federata

Komiteti Olimpik i Kosovës të martën e mban një konferencë që ndër të tjera, ka për qëllim të promovojë dhe të nxisë përfshirjen e vajzave dhe grave në sport. Për këtë konferencë, KOK-i ka njoftuar të hënën.

Por organizata kryesore sportive në vend nuk ka lëshuar asnjë njoftim lidhur me incidentin që ndodhi të dielën në një kampionat evropian për fëmijë në taekwondo, që u mbajt në Tiranë.

Në videoincizime është parë trajneri kosovar Valmir Fetiu duke e goditur me shuplakë garuesen dhe vajzën e tij. Pas humbjes në finale, 8-vjeçarja fillimisht u tërhoq prej helmete. Dhe pasi vazhdoi me reagim, ajo u qëllua me shuplakë nga prindi dhe trajneri i saj. Ka pasur reagime të shumta për këtë incident, por jo edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

KOHA i është drejtuar me kërkesë KOK-ut për qëndrim, por nuk mori përgjigje. KOK-u nuk ka shkruar për këtë as në faqen zyrtare dhe në rrjetet sociale.

Qëndrim për incidentin nuk ka dhënë as Federata e Taekwondos së Kosovës. Për më tepër kjo federatë ka shkruar të hënën mbrëma për sukseset në Tiranë, përkatësisht për dy medalje të argjendta. Incidenti nuk është përmendur fare.

“Ky është një sukses i madh për Federatën e Taekwondos dhe vetë shtetin e Kosovës”, ka shkruar kjo federatë.

Njërën prej medaljeve të argjendta e fitoi garuesja që u qëllua.

Ndërkohë, Federata Evropiane e Taekwondos të hënën njoftoi se trajnerin Fetiu e ka suspenduar për gjashtë muaj. Në njoftim nuk është përmendur emri e as vendi i trajnerit. Si disa federata sportive në Kosovë, kjo federatë ka bllokuar komentet në postimin ku njoftohet për dënimin e trajnerit.

“Bordi Mbikëqyrës i Garave në Kampionatin Evropian për Kadetë në Tiranë ka dënuar një trajner me gjashtë muaj, pasi ishte fizikisht agresiv me sportisten e tij në fund të luftës. Incidenti është incizuar nga kamerat dhe qartë tregon trajnerin duke bërë atë për të cilën ka zero tolerancë në sportin tonë. Trajneri ka kërkuar falje publike dhe është dënuar për të gjitha garat, nacionale dhe ndërkombëtare, për periudhë prej gjashtë muajsh”, shkruan në njoftimin e Federatës Evropiane të Taekwondos.

Incidenti është dënuar edhe nga zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport,  Daulina Osmani.

“Ky rast i dhunës është shkelje e rëndë e parimeve të edukimit sportiv dhe të kujdesit për fëmijët. Kjo sjellje është e papranueshme dhe nuk përfaqëson asgjë që sporti duhet të jetë – hapësirë për zhvillim, mbështetje dhe frymëzim për të rinjtë. Përderisa Federata Evropiane e Taekwondos ka ndërmarrë masa ndaj trajnerit, Këshilli Kundër Dukurive Negative në Sport ka proceduar rastin në prokurorinë kompetente dhe i ka kërkuar Federatës së Taekwondos të Kosovës të veprojë menjëherë për të shqyrtuar veprimtarinë e trajnerit në sistemin sportiv. I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të reagojnë dhe të ndërmarrin masa të shpejta për të adresuar rastin në fjalë dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen”, ka shkruar Osmani.

Thirrjes së saj megjithatë nuk i janë përgjigjur KOK-u dhe federata kosovare e taekwondos.

Nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport është konfirmuar që rasti është përcjellë në prokurori.

Nga shoqëria civile reagimet ishin të shumta.

Trajneri Fetiu të dielën për KOHËN ka folur për incidentin në Tiranë. Incidenti ndodhi pasi garuesja kosovare humbi finalen nga një garuese serbe.

“Ajo ishte për ta qetësuar, pasi e mori afër zemrës. Ishte shuplakë e vogël, ishte për vajzën time. Ajo nisi të qajë dhe të bërtas dhe unë nuk doja ta shoh para tjerëve në atë gjendje. Ishte garë për vendin e parë. Ajo zuri vendin e dytë, ishte shumë më e mirë se garuesja nga Serbia. Është vajzë 8-vjeçare dhe filloi të qajë. I thash të qetësohet. Nuk ka qenë shuplakë, një prekje në fytyrë për ta qetësuar dhe për t’i thënë se ka përfunduar dhe të shkojë ta përshëndesë ashtu siç i ka hije një sportisti”, ka thënë Valmir Fetiu.

Komuniteti i vogël i taekwondos kosovarë ka kohë që është i ndarë në të paktën dy grupe. Dhe më shumë se për rezultatet sportive, federata e taekwondos merr vëmendje për zhvillime të tjera.