Nora Gjakova ka mposhtur kampionen në fuqi të botës për të fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e Parisit.
Nora për të bronztën në kategorinë deri 63 kilogramë e mposhti holandezen Joanne Van Lieshout. Van Lieshout ishte bartëse e parë në kategorinë deri 63 kilogramë.
Lufta ishte e fortë dhe thuajse e barabartë. Në kohën shtesë holandezja e pësoi dënimin e tretë dhe kështu medalja e bronztë i takoi Norës. Më herët në kohën shtesë, gjyqtarët kryesorë dhanë “Yuko” për holandezen. Por anuluan vendimin pas reagimit të ashpër të trajnerit Driton Kuka dhe Norës.
Medalja e bronztë ka vlerë ari për Norën për faktin se e fitoi në kategorinë që nuk është e saj. Ajo garon në kategorinë deri 57 kilogramë, por pasi nuk arriti peshën në Paris u paraqit në kategorinë deri 63 kg.
Rrjedhimisht nuk ishte fare bartëse. 32-vjeçarja ditën e nisi me fitore ndaj francezes Rania Drid. Më pas e mposhti me Ippon kroaten Iva Oberan, që ishte bartëse e tretë. Në çerekfinale, Nora humbi nga japonezja Megu Danno. Lufta me japonezen ishte shumë e fortë, ndërsa në minutën e pestë Danno realizoi “Yuko”.
Në repesazh, Nora fillimisht me dy uazari e mposhti spanjollen Cristina Cabana Perez e më pas kampionen botërore.
Për Norën është kthim triumfal në garat e xhudos. Në gara individuale ajo nuk ishte paraqitur që nga Lojërat Olimpike të Parisit. Në Lojërat e verës së kaluar u paraqit e lënduar dhe u ndal në luftën e parë. Ajo është kampione olimpike nga Tokio.
Kategoria deri 63 kilogramë kishte më së shumti xhudiste, 25. Garat janë zhvilluar në arenën e famshme, Bercy, ndërsa të pranishëm ishin mijëra shikues.
Ka pasur dilema nëse Nora do ta vazhdojë karrierën pas Lojërave Olimpike të Parisit. Por ajo vendosi të vazhdojë dhe tashmë ka medalje bronzi nga Parisi. Të bronztë në Paris kishte fituar edhe në vitin 2020.