Erza Muminoviq është fituese e medaljes së bronztë në Kampionatin Evropian U23. Të premten në Pila të Polonisë, Erza u rendit e treta në kategorinë deri 52 kilogramë të Evropianit për seniorët e rinj.
Xhudistja 22-vjeçare e nisi ditën me fitore ndaj azerbajxhanases Khadizha Gadashova. Ndaj saj fitoi me dënime në kohën shtesë. Në luftën e dytë, Erza Muminoviq e mposhti rumunen Luciana Catana, me uazari.
Në gjysmëfinale humbi me dy uazari nga spanjollja Ayumi Leiva Sanchez, që në fund u shpall kampione. Dhe për medalje bronzi e mposhti polaken Oliwia Kutyla. Ndaj saj dominoi plotësisht. Në minutën e fundit realizoi hedhje për uazari e më pas me mbajtje siguroi fitoren me Ippon.
Erza ishte bartëse e parë, ndërsa medalje pritet të shërbejë për ta kthyer karrierën e saj në rrugën e duhur. Ajo ka pasur rezultate kulmore te kadetet, ndërsa kishte fituar titullin e Evropës në grupmoshën U18 në vitin 2018. Të njëjtin vit kishte fituar edhe medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike për të Rinj.
Ka pasur suksese edhe te junioret, ndërsa ndër të tjera, fitoi medalje të bronztë botërore. Në vitet e fundit ka pasur ngecje në rezultate, sidomos te të rriturit. Kjo ndodhi edhe për shkak të lëndimeve. Vjet nuk fitoi medalje në garat e rëndësishme, ndërsa këtë vit ka një medalje të bronztë në “European Cup”, një vend të pestë në Grand Slamin e Abu Dabit dhe një vend të dytë në “European Open” në Sarajevë. Tani e ka medaljen e parë në Evropianin U23.
Të premten garoi edhe Dëbora Gjakova, që u ndal në luftën e parë të kategorisë deri 63 kilogramë. Muhamedin Veseli po ashtu humbi luftën e parë në kategorisë deri 66 kilogramë. Dukshëm më tepër është pritur nga Dardan Cena, që u ndal në luftën e parë të kategorisë deri 73 kilogramë. Të shtunën garon Anes Veseli në kategorinë deri 81 kilogramë.
Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, thotë se kësaj gjenerate ende po i mungon diçka për të prekur nivelet më të larta.
“Erza ka pasur mungesë të gjatë shkaku i lëndimit. Kjo gjeneratë, po flas në përgjithësi, ende nuk po e gjen rrugën drejt arritjes në nivel të gjeneratës paraprake. E kam fjalën për Flaka Loxhën, Fatjona Kasapin, Dardan Cenën, Dëbora Gjakovën e disa të tjerë. Diçka po mungon. Kjo gjeneratë në dy vjetët e ardhshëm duhet të bëjë transformim radikal. Sinjale ka, patjetër, por është me rëndësi të ketë kontinuitet. Kur nuk ka, atëherë kjo është dëshmi që nuk janë të përgatitur 100 për qind. Kjo e ka përcjellë edhe Laurën, ndonëse ajo ka fituar të gjitha medaljet e mundshme. Por ajo deri më tani është dashur t’i ketë edhe medaljet e arta në ngjarjet elitare”, ka thënë Kuka për KOHËN.
Ai vazhdimisht kërkon më shumë nga xhudistët. Me këtë qasje tashmë xhudistët e Kukës i kanë pesë medalje olimpike, shumë medalje botërore e dhjetëra evropiane.