Luftarake

Dubois ka nivelin që ta dominojë kategorinë e rëndë të boksit profesionist

Daniel Dubois vs Anthony Joshua

Kampioni i botës në boks, në versionin IBF, Daniel Dubois, i ka të gjitha mundësitë që të bëhet boksieri kryesor i kategorisë së rëndë. Kështu vlerëson promotori i tij, Frank Warren.

Britaniku Dubois u bë shumë i famshëm të shtunën mbrëma me fitoren impresive ndaj Anthony Joshuas. Dubois e rrëzoi Joshuan katër herë. Joshua nuk mundi të ngrihej më në raundin e pestë.
Promotori Warren dëshiron që tani Dubois të përballet me kampionin e kategorisë së rëndë në versionet WBO, WBA dhe WBC, Oleksandr Usyk.

Do të ishte një rimeç në fakt. Uksyk e mposhti Duboisin në gusht të vitit 2023. Ukrainasi i jashtëzakonshëm fitoi me ndërprerje në raundin e nëntë.

27-vjeçari Dubois u “gradua” në kampion të rregullt në versionin IBF, pasi Usyk e lëshoi këtë titull në muajin qershor. Ukrainasi lëshoi titullin vetëm disa javë pasi mposhti Tyson Furyn dhe u bë boksieri i parë që unifikoi titujt e botës në kategorinë e rëndë në 25 vjetët e fundit.

“Lufta në të cilën dua ta shoh atë,është sërish me Usykun”, ka thënë Warren për BBC. “Tani është një Daniel Dubois tjetër. Është më i matur fizikisht dhe mentalisht. Ai do të bëhet gjithnjë e më i fortë. Do të jetë këtu për një kohë më të gjatë. Është i ri dhe i ka të gjitha gjërat që i duhen për ta dominuar kategorinë”, ka shtuar Warren.

Ai ka treguar se Joshua ka klauzolë në kontratë për rimeç me Duboisin. Por këtë klauzolë nuk e ka ylli i ri, Dubois. 

“Kjo nuk do të thotë se ne jemi kundër rimeçit me Joshuan. Është diçka për të cilën do të ulemi dhe do të bisedojmë”, ka thënë Warren.

Usyk ishte afër ringut të shtunën në “Wembley”. Pa nga afër se si Dubois e shkatërroi Joshuan me goditje të hatashme. Ai i ndali për pak ditë stërvitjet, ndërsa vazhdon të përgatitet për rimeçin me Furyn që është më 21 dhjetor.

Usyk, Fury e Joshua janë kryesorët e kategorisë së rëndë për disa vjet. Por tani në këtë mes është edhe Dubois.

Kishte moment kundëthënës në raundin e pestë të luftës së parë të Dubois me Usyk, në vitin 2023. Britaniku e rrëzoi ukrainasin, por u referua goditje nën brez nga gjyqtarët. Usykut iu dhanë gati katër minuta për t’u rikuperuar.  

“Dubois humbi  qetësinë pas incidentit”, thotë Warren. “Unë mendoj se kjo ndodhi për faktin se ai ishte pak më i ri dhe ndoshta nuk e kishte zgjuarsinë që i duhet në ring. Por tani është një boksier krejt ndryshe. E keni parë të shtunën”.

Joshua ka përsëritur se nuk e ka në plan të tërhiqet, pavarësisht natyrës shkatërruese të humbjes. 

“Dolëm keq, por duhet të shohim me optimizëm. Kjo mendësi duhet të jetë”, ka thënë Joshua në një video.

“Shikoni çka kam arritur gjatë 11 vjetëve. Ishte fenomenale. Një rrugëtim i jashtëzakonshëm, por larg nga fundi. Kam shumë gjëra për të ofruar dhe mund të vazhdoj shumë”.