Ashtu si pritej, Distria Krasniqi do të përballet me italianen Odette Giuffrida në finalen e madhe të Kampionatit Evropian të xhudos.
Evropiani po mbahet në Podgoricë, ndërsa Krasniqi është kualifikuar në finale të kategorisë deri 52 kilogramë.
Distria është bartëse e parë dhe nuk ka pasur telashe për të siguruar luftën për të artën.
Ka shënuar tri fitore. Fillimisht e mposhti serben Milica Nikoliq. Më pas holandezen Naomi Van Krevel e në gjysmëfinale spanjollen Ariane Toro Soler.
Giuffrida është prej legjendave të kategorisë deri 52 kilogramë. Pak javë më parë ishte në një kamp në Pejë. Por nuk zhvilloi asnjë luftë më Distrinë. Këtë nuk e bën asnjëherë.
Distria e Giuffrida janë përballur plot 11 herë. Xhudistja kosovare ka shtatë fitore, ndërsa katër i ka fituar italiania. Distria në fakt kishte humbur tri luftërat e para me Giuffridan, që është kampione në fuqi e botës. Më pas e mposhti tri herë rresht, pësoi një humbje dhe sërish është në seri prej tri fitoreve.
Distria ndaj Giuffridas fitoi në finalen e Evropianit të kaluar e po ashtu në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike në Paris.
E kishte mposhtur edhe në gjysmëfinale të Evropianit 2023.
Lufta pritet të jetë e fortë.
