Luftarake

Cena i bronztë në Sarajevë

Dardan Cena

Xhudisti Dardan Cena e ka fituar medaljen e bronztë të shtunën në garën ndërkombëtare “Sarajeva European Open 2024”, që është duke u mbajtur në Bosnjë-Hercegovinë. 

Cena fitoi me Ippon ndaj rumunit Lucian Boris Dumitrescu në kategorinë deri 73 kilogram, në luftën për medalje të bronztë. Cena që u udhëhoq nga trajneri Fatos Tabaku në këtë garë, e nisi ditën mirë me dy fitore ndaj Dmitrii Kuznetsovit dhe Botond Szeredasit. U mposht në gjysmëfinale nga Diego Campillo Fernandez, ndërsa më pas nuk gaboi ndaj xhudistit rumun për t’u stolisur me medalje të bronztë. 

Muhamedin Veseli u rendit i pesti në kategorinë deri në 66 kilogramë, pasi në luftën për medalje të bronztë u mposht nga spanjolli Adrian Chinarro Nieto. 

Të shtunën garoi edhe Debora Gjakova në kategorinë deri në 63 kilogramë, por u ndal herët. E fitoi vetëm një luftë. 

Të dielën garojnë edhe Erza Muminoviq në kategorinë deri në 52 kilogramë, Flaka Loxha deri në 57 kilogramë dhe Anes Veseli në kategorinë deri në 81 kilogramë.