Boksi është përfshirë të enjten në programin për lojërat olimpike verore “Los Angeles 2028”. Vendimi u mor me votim unanim nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, duke i dhënë fund periudhës plot dyshime për të ardhmen olimpike të sportit të boksit.
Muajin e kaluar IOC-ja pranoi përkohësisht organizatën “World Boxing”, në hapin e madh drejt kthimit të boksit në Lojërat Olimpike. Ndërkohë vendimi i së enjtes siguron mbetjen e boksit në Lojërat Olimpike.
Fillimisht IOC-ja nuk e kishte përfshirë boksin në programin për LA 2028, për shkak se tërhoqi njohjen e organizatës IBA, të afërt me Rusinë. IOC-ja nuk e njeh IBA-në për shkak të keqqeverisjes. IOC-ja kërkoi që të formohet një organizatë tjetër e boksit dhe kjo ndodhi. Tashmë pjesë e World Boxing është edhe Kosova, ndërsa në këtë organizatë janë anëtarësuar mbi 80 vende.
Vendimin e kanë duartrokitur edhe në Kosovë. Federata e Boksit e Kosovës ishte prej federatave të rreshtuara kah World Boxing.
World Boxing ka publikuar kalendarin e garave për vitin 2025. Dhe në shtator, përkatësisht nga 4 deri më 14 shtator në Angli, do të mbahet Kampionati Botëror.
“Unë nuk do të ndalem së punuari drejt realizimit të ëndrrës sime – medaljes olimpike. Besoj fuqishëm në realizimin e ëndrrës”, ka thënë Sadiku për KOHËN. “Planet janë të ndjekim disa nga turnetë më të fortë në botë, të cilët janë në kalendarin e Federatës botërore, me qëllimin kryesor medaljen në Botërorin që do të mbahet në Liverpool, në muajin shtator. Po ashtu shpresoj që të kemi edhe kampionat evropian këtë vit me Federatën e re botërore”.
Edhe trajnerja e saj, Marjola Sallauka, ka bindjen se Sadiku në “Los Angeles” do të fitojë medalje.
“Edhe ne si Kosovë i jemi gëzuar lajmit që boksi do të jetë pjesë e Lojërave Olimpike. Uroj që Donjeta dhe boksierët e tjerë të Kosovës të mos diskriminohen më, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën. Tani jemi më të qetë dhe puna jonë do të vazhdojë drejt normës olimpike. Donjeta e ka thënë në shumë intervista se synimi i saj është medalja olimpike. Dhe, ne së bashku do të punojmë për t’ia arritur këtij qëllimi. Do të përgatitemi për Botërorin dhe Evropianin që presim të organizohet nga Federata e re”, është shprehur Sallauka.
Sadiku 25-vjeçare, që garon në kategorinë deri 60 kilogramë, në fillim të muajit fitoi medalje të artë në turneun ndërkombëtar “Strangja”.
Por për Donjetën mbetet viti 2022 më i suksesshmi në karrierë. Ajo fitoi medalje të bronztë evropiane e botërore. Më pas nuk pati mundësi të paraqitej në ngjarjet globale dhe rrjedhimisht edhe humbi mundësinë për të fituar të tjera medalje.
Kosova në dy Olimpiadat e kaluara është prezantuar me Donjeta Sadikun. Ka shpresë se ndonjë boksier kosovar do të kualifikohet edhe për “Los Angeles 2028”.
“Jam i bindur se do të kemi edhe ndonjë boksier në Lojërat Olimpike në vitin 2028. Kemi angazhuar një trajner bullgar për të punuar me boksierët tanë. Kemi 4-5 boksierë që mund të jenë garojnë për normë olimpike. Për Donjetën as që ka diskutim. Madje, presim edhe medalje nga Donjeta. Por ne kemi shpresë se të paktën dy norma do t’i kemi për Lojërat e ardhshme Olimpike. Do ta kemi një mashkull në mesin e normave”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli.
Demolli ka theksuar se kanë marrë garanci që boksierët e Kosovës nuk do të përballen me diskriminim. Më së shumti pasojat nga diskriminimi i ka bartur Donjeta Sadiku. Boksieres së kategorisë deri 60 kilogramë iu mohua pjesëmarrja në Botërorin që u mbajt në mars në Indi dhe Evropiani në prill të vitit të kaluar në Serbi.
“Nuk do të ketë më diskriminim për boksierët tanë. Do të marrim pjesë në të gjitha ngjarjet me simbole shtetërore. Kemi marrë garanci se do të trajtohemi të barabartë në të gjitha shtetet. Uroj të kemi sa më shumë suksese në Olimpiadë”.
Boksi vlerësohet prej sporteve më të rëndësishme në programin olimpik.