Luftarake

Binjakët gjigantë me fitore shumë të rëndësishme në “Glory”

gasht

Kur në shkurt të vitit të kaluar Asdren Gashi shënoi fitore me goditje të frikshme në Varna të Bullgarisë, kikboksieri shqiptar shpresonte që t’i hapeshin dyert për luftëra më të mëdha. Paraqitja në “Glory”, organizatën kryesore të kikboksit profesionist, ishte ëndërr e tij.

Asdreni tashmë po e realizon ëndrrën. Madje së bashku me binjakun e tij, Luigjin.

Dy luftëtarët nga Deçani, që jetojnë në Belgjikë, fundjavën e kaluar u paraqitën në “Glory 99” ngjarjen e mbajtur në Roterdam të Holandës. Në këtë ngjarje të rëndësishme u paraqitën vetëm kikboksierë të kategorisë së rëndë, përkatësisht mbi 95 kilogramë. Asdreni fitoi pas tri raundesh ndaj Nidal Bchirit të Marokut. Luigji fitoi ndaj Petr Romankevich të Bjellorusisë, po ashtu pas tri raundeve.

Derisa për Asdren Gashin ishte lufta e tretë dhe fitorja e tretë në “Glory”, Luigji debutoi në këtë organizatë. 

“Nuk ka se si të shkojë më mirë. Dy fitore për ne vëllezërit”, ka thënë Asdren Gashi të mërkurën për KOHËN.

Mbrëmja në Roterdam i takoi turneut “Last Heavyweight Standing”, që “Glory” e prezantoi këtë vit. 32 kikboksierë të kategorisë së rëndë garojnë për titull.

“Ishim 32 dhe tani kemi mbetur 16. Më 13 qershor po në Roterdam i kemi luftërat e radhës. Fituesit i kanë nga dy luftëra në atë mbrëmje. Unë përballem me kundërshtar nga Azerbajxhani e vëllai im me kundërshtar nga Nigeria. Dihen edhe kundërshtarët e mundshëm për luftën e dytë. Nëse i fitojmë nga dy luftëra atëherë kualifikohemi për turneun kryesor që mbahet në fund të vitit. Në turneun kryesor do të zhvillohen tri luftëra nga një kikboksier brenda natës. Dhe fituesi i turneut kryesor do ta ketë rastin ta sfidojë kampionin në fuqi të ‘Gloryt’, holandezin Rico Verhoeven”, ka treguar Asdren Gashi.

Vëllezërit 29-vjeçarë kanë peshë prej rreth 125 kilogramësh. Janë gjigantë të ringut. Janë pjesë e “Valon Team” në Bruksel. 

Në Belgjikë jetojnë prej vitit 2001. Luigj Gashi në kikboksin profesionist i ka 16 fitore e katër humbje. Asdreni i ka 19 fitore, katër humbje e një barazim. Në “Glory”, Asdreni debutoi më 20 korrik të vitit të kaluar.

“Ajo fitore në Bullgari, ajo goditje, më hapi dyert e mëdha. Menjëherë erdhi oferta nga ‘Glory’ që e kishim ëndërr. Nuk kemi mundur të besojmë që e kemi ofertën nga kjo kompani, bindshëm më e madhja e kikboksit. Tani jemi në rrugë të mirë dhe shpresojmë të kalojmë mirë edhe në mbrëmjen e ardhshme”, ka thënë Asdren Gashi.

Fitoren në Bullgari, në kuadër të mbrëmjes së organizuar nga kompania “Senshi”, e kishte arritur me goditje të frikshme, ndaj turkut Kadir Yildirim. Videoja e goditjes ishte shpërndarë shumë në rrjetet sociale. 

“Edhe sot e kemi pushim, pasi luftërat ishin vërtet të vështira. Prej të enjtes u kthehemi përgatitjeve për mbrëmjen e ardhshme. Jemi të përkushtuar për të dhënë maksimumin dhe të shkojmë sa më larg. Fitoret e deritashme na shërbejnë si motivim për suksese edhe më të mëdha. Natyrisht, duhet shumë punë e djersë”, ka thënë Gashi.

Dy kikboksierët paraqiten me flamur shqiptar.