Luftarake

Arrestime në Federatën e Karatesë të Kosovës, dyshohen për keqpërdorim të mjeteve financiare të MKRS-së

Federata e Karatese

Dy zyrtarë të Federatës së Karatesë të Kosovës (FKK) janë ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit. Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës të enjten.

Masa e ndalimit për 48 orë i është caktuar zyrtarit me inicialet N.G. dhe zyrtares F.M. Personi tjetër me inicialet I.K. është liruar në procedurë të rregullt.

Tre personat dyshohet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të MKRS-së në vlerë prej 87 mijë e 463 euro.

“Hetuesit nga sektori për hetime financiare, pas pranimit të një informate, të njëjtën e kanë trajtuar dhe gjatë mbledhjes së dëshmive, kanë ngritur dyshime se zyrtarët e Federatës së Karatesë të Kosovës (FKK), kanë keqpërdorur mjetet financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Të dyshuarit: N.G. (viti i lindjes 1974, mashkull kosovar), F.M., (viti i lindjes 1982, femër kosovare) dhe I.K., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar), me veprimet e tyre kundërligjore, dyshohet se në periudhën kohore 2019-2023, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të MKRS-së në vlerë prej 87,463.00€ (tetëdhjeteshtatë mijë e katërqindegjashtëdhjetetre euro). Të dyshuarit janë arrestuar, janë intervistuar dhe ndaj tyre është iniciuar rasti: ‘Mashtrim me Subvencione’. Pas intervistimit, ndaj të dyshuarve N.G., dhe F.M., është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa I.K. është liruar në procedurë të rregullt”, shkruan në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Shumica e federatave funksionojnë plotësisht me mjetet që i marrin nga buxheti i shtetit.

Përkrahja në bazë të kategorizimit, megjithatë, nuk është e vetmja e shtetit për federatat sportive. Nga kuleta e shtetit federatat përkrahen edhe në forma të ndryshme. Disa federata kanë marrë qindra mijëra euro të tjera pos atyre që parashikohen me kategorizim.

Federata e Karatesë e Kosovës nga korriku i vitit të kaluar u përball me ndarje të madhe. U krijuan dy grupe. Njërin grup e udhëhiqte Nazmi Gashi e Besart Baruti dhe tjetri grup drejtohej nga Avni Gashi.

Pasojat për ndarjen në dy grupe kanë qenë të mëdha. Federata e Karatesë e Kosovës humbi licencën nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. MKRS-ja ia pezulloi licencën.

Si federatë pa licencë FKK-ja humbi të drejtën e mjeteve të shumta financiare nga MKRS-ja e po ashtu edhe sponsorëve.

Situata në karate krijoi edhe ndarje te sportistët. Melos Gashi, i biri i Avni Gashit, vendosi të largohej nga Kosova dhe tashmë përfaqëson Shqipërinë. Ndërkohë kishte vendim për ta lënë jashtë Botërorit edhe Fortesa Oranën, pasi ishte rreshtuar me grupin që udhëhiqej nga Avni Gashi. Por vetëm pasi hoqi dorë nga pozita e anëtares së Bordit, Orana u fut në listën e pjesëmarrësve në Botëror. Ajo udhëhoqi më pas Kosovën drejt medaljes së bronztë në garat ekipore.