Një prej emrave të njohur të boksit kosovar Afrim Majanci pretendon se janë keqpërdorur mjetet financiare nga drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës. Ai ka thënë se nuk është raportuar se ku kanë përfunduar mjetet e Federatës së Boksit të Kosovës.
Majanci është prej emrave të njohur të boksit kosovar. Boksier amator ishte prej vitit 1978 e deri në vitin 1992. Më pas ka punuar si trajner deri në vitin 2015, ndërsa tani është anëtar i bordit të Federatës së Boksit të Kosovës.
Federatës së Boksit sipas vlerës financiare të koeficientit për kategorizimin e federatave në sportet kolektive dhe individuale, i takojnë 249 mijë e 600 euro.
Majanci hedh dyshime se është keqpërdorur shuma e shpenzuar në turneun ndërkombëtar “Adem Jashari”, i organizuar vitin e kaluar në Gjilan.
“Për turneun ‘Strangja’ sipas raportit të paraqitur në Kuvendin e Punës 6.900 euro. Tash lind pyetja, pse ne po ua heqim shpenzimet boksierëve pjesëmarrës. Edhe ata duhet të na heqin neve. Por më skandalozja më duket është turneu ‘Adem Jashari’. Është mbajtur vitin e kaluar dhe janë shpenzuar 24 mijë e 160 euro. Nuk po mund ta kuptoj kah shkuan gjithë ato pare, kur dihet se pjesëmarrës ka qenë Çekia me dy, tre apo katër boksier, Bullgari me tre boksier, një boksier shqiptar nga Zvicra, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Turneu ka qenë dy ditë dhe gjithë ato shpenzime më duket se janë shumë”, është shprehur Majanci.
Ai insiston se nuk raportohet asnjëherë në mbledhje të bordit për shpenzimet. Thotë se një person kryen shumë funksione në Federatë, duke iu referuar Latif Demollit.
“Sa herë kemi mbledhje të bordit nuk raportohet për financa. Sa para kanë shkuar. Asnjëherë nuk është dhënë raport. Sekretari jonë i Federatës i cili e bën këtë raport, mban shumë funksione në Federatën e Boksit të Kosovës. Sekretari mban pozitën e sekretarit, selektorit, sepse ia imponon sa boksier t’i marrë arkëtarit, udhëheqës i rrugës, gjyqtar dhe zëdhënës. Në çdo turne është udhëheqës i rrugës. Ai i bën të gjitha vetë”, ka vazhduar me akuza Majanci.
Ai fton prokurorinë për hetim.
“Ftoj auditorin e jashtë e besa edhe prokurorinë për hetim. Jo vetëm tash, por kam dyshime nga paslufta. Është duke vazhduar me të njëjtin avaz. I kam paralajmëruar për këto dyshime, kryetarin dhe sekretarin. Nuk kam marrë përgjigje. Sot tre javë ka ndodhur kjo. Por nuk më janë përgjigjur”, ka thënë Majanci.
Ai tregon se parregullsi ka edhe në ring. Tregon një rast gjatë kampionatit të Kosovës.
“Në kampionatin individual në gjysmëfinale janë takuar dy boksierë me pesha të ndryshme. 86 me 66 kg. Ka pasur kacafytje edhe nga trajnerët. E kam kërkuar raportin në bord të Federatës, delegatit të turneut, i cili është edhe nënkryetar i Federatës dhe përgjigja e tij ka qenë se ka ndodhur gabim teknik”, ka thënë Majanci.
Përkrah tij ishte edhe anëtari tjetër i bordit, Musli Zymberi. Edhe ai pati kritika dhe akuza.
“Llogaridhënia nga krerët e Federatës është zero. Unë e kam ngritur zërin gjithmonë. Kritikat nuk janë marrë të mirëqena, por armiqësore nga drejtuesit e Federatës”, ka thënë Zymberi, i cili deri vonë ka qenë ushtrues detyre i selektorit të Kosovës në boks.
Në Federatën e Boksit e Kosovës nuk kanë komentuar akuzat e Majancit e Zymberit.
Federata e Boksit e Kosovës nuk është e vetmja federatë që përballet me mospajtime. Deri vonë Federata e Karatesë e Kosovës ka funksionuar e ndarë në dy grupe. Pasojat e ndarjeve nëpër federata, në fund i bartin sportistët.