Lokalet 2021

Fushatë online

Takimet që shumica e partive politike i zhvilluan me qytetarë tash e disa javë i kanë reduktuar sot, kur filloi fushata për zgjedhjet komunale. Ato thonë se pjesa më e madhe e adresimeve për qytetarë do të zhvillohen në media dhe rrjete sociale.

Të enjten ka filluar zyrtarisht fushata për zgjedhjet komunale të 17 tetorit.

Për shkak të gjendjes së rëndë me pandeminë, kësaj radhe partitë politike kanë reduktuar aktivitetet në terren.

Takimet me qytetarë që shumica prej tyre i organizuan në parafushatë, u zotuan se nuk do t’i vazhdojnë me arsyetimin e ruajtjes së shëndetit publik.

Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës ka organizuar tubime me qytetarë, por duke respektuar kufizimet kundër përhapjes së COVID-19.

Në sheshin e Podujevës, kandidati për kryetar, Shpejtim Bulliqi, mblodhi disa aktivistë, kurse edhe ai për Fushë-Kosovën, Enver Bajçinca, ka hapur fushatën.

Partia më e madhe opozitare, PDK-ja ka vendosur që fushatën zyrtare ta bëjë në rrjete sociale dhe media.

Kurse, LDK-ja ka njoftuar se fushatën do ta hapë virutalisht në orën 20:00, derisa është paralajmëruar që në këtë mënyrë do të vazhdohet edhe gjatë ditëve të tjera.

AAK-ja në anën tjetër ka konfirmuar se ka vendosur që ta shkurtojë fushatën tradicionale në pesë ditë. Kandidati i kësaj partie për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka shpalosur programin e tij për kryeqytetin.

Ndërsa në Prizren ka zgjedhur ta fillojë fushatën Nisma Socialdemokrate.

Fushata zgjat deri më 15 tetor, ndërsa heshtja zgjedhore është më 16 tetor.