Një koronavirus i ri është zbuluar në shtetin Ceara të Brazilit, dhe ka ngjashmëri me virusin që shkaktoi Sindromën e Lindjes së Mesme (MERS-CoV), e identifikuar për herë të parë në vitin 2012. Studimet për të vlerësuar nëse mund t'i infektojë njerëzit do të zhvillohen brenda vitit 2025, ka raportuar SciTechDaily.
Studiues nga Sao Paulo dhe Ceara, në bashkëpunim me kolegë nga Hong Kong University (HKU), kanë identifikuar për herë të parë një virus në Amerikën e Jugut që ka lidhje të ngushtë me virusin MERS-CoV. Gjetjet u publikuan në revistën shkencore Journal of Medical Virology (JMV).
“Aktualisht nuk jemi të sigurt nëse mund t'i infektojë njerëzit, por kemi zbuluar pjesë të proteinës spike (S) të virusit, e cila lidhet me qelizat e gjitarëve për të nisur infeksionin, gjë që sugjeron një ndërveprim të mundshëm me receptorin e përdorur nga MERS-CoV. Për të zbuluar më shumë, planifikojmë të kryejmë eksperimente në Hong Kong gjatë këtij viti”, ka thënë Bruna Stefanie Silvério, autorja kryesore e studimit.
Zbulimi i virusit
Ekipi identifikoi shtatë koronaviruse në pesë nga 16 mostra të marra nga goja dhe rektumi i lakuriqëve të natës në Fortaleza, kryeqyteti i shtetit Ceara. Mostrat vinin nga dy lloje të ndryshme lakuriqësh: Molossus molossus (insetivor) dhe Artibeus lituratus (frugivor).
Profesor Ricardo Duraes-Carvalho, autori i fundit i artikullit dhe udhëheqës i projektit, ka theksuar rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të lakuriqëve të natës për të parandaluar rreziqet e mundshme të transmetimit te njerëzit.
“Lakuriqët e natës janë rezervuarë të viruseve dhe për këtë arsye duhet t’i nënshtrohen mbikëqyrjes epidemiologjike të vazhdueshme. Kjo na ndihmon të identifikojmë viruset qarkulluese dhe rreziqet e mundshme për kafshët e tjera dhe njerëzi”, ka thënë ai.
Ngjashmëritë me virusin MERS-CoV
Virusi MERS-CoV u identifikua për herë të parë në Arabinë Saudite në vitin 2012, dhe që atëherë ka shkaktuar 858 vdekje në 27 vende. Virusi i sapoidentifikuar në Brazil ka një ngjashmëri gjenetike prej 71.9% me MERS-CoV, ndërsa proteina spike (S) e tij ka 71.74% ngjashmëri me proteinën spike (s) të një mostre të virusit MERS-CoV të marrë nga një pacient në Arabinë Saudite në vitin 2015.
Për të kuptuar nëse ky virus i ri mund të lidhet me qelizat njerëzore, do të kryhen eksperimente në laboratorë me siguri të lartë në HKU gjatë vitit 2025.
Silverio po përgatitet për një internship në School of Public Health të HKU, ku do të punojë nën mbikëqyrjen e profesor Leo L. M. Poon, një ekspert i njohur në virologjinë publike.
Një tjetër virus i gjetur te lakuriqët e natës
Ekipi ka zbuluar më parë edhe një virus tjetër te e njëjta specie lakuriqësh në Ceara, i quajtur gemykibivirus-2, i cili ka lidhje me viruse të identifikuara më parë te njerëzit. Ky virus është gjetur në mostrat e lëngut cerebrospinal të pacientëve si dhe në gjak. Studimet e mëparshme kanë treguar praninë e tij te pacientë me sëmundje si HIV, sepsë të panjohur, perikardit të përsëritur dhe encefalit të pashpjeguar.
“Mungesa e sekuencave të viruseve në bazat e të dhënave na kufizon në analizën më të thelluar të tyre. Megjithatë, fakti që kemi identifikuar agjentë viralë kaq pak të njohur i bën këto gjetje një bazë të rëndësishme për hulumtime të mëtejshme”, ka thënë Silverio.
Duraes-Carvalho ka theksuar rëndësinë e një analize më të integruar për të ndihmuar në monitorimin dhe parandalimin e pandemive të ardhshme.
“Studimet tona tregojnë se është thelbësore që këto analiza të bëhen më sistematike dhe të përfshijnë sektorë të ndryshëm, duke krijuar platforma të dhënash të unifikuara që mund të përdoren nga sistemet shëndetësore për mbikëqyrje dhe parandalim”, ka thënë ai.