Shkencëtarët kanë zbuluar diçka në ADN-në e njeriut, që do të mund të ndihmonte në gjetjen e kurës së kancerit të pankreasit.
Një ekip studiuesish nga Britania dhe SHBA-ja kanë gjetur se kanceri pankreatik ka mundësi të ndalë prodhimin e molekulave në gjenet me të rëndësishme të trupit, gjë që ndihmon sëmundjen të shpërndahet me shpejtësi.
Studiuesit, në studimin e publikuar në “Gastro hep Advances”, kanë analizuar mostrat e kancereve pankreatike dhe kanë gjetur se ky lloj kanceri vepron duke i bërë molekulat e gjenit HNF4Q të ADN-së të ndalen, duke krijuar kështu rrugë për zgjerimin e tumorit ekstremisht shpejtë, shkruan The Guardian.
Gjeni HNF4Q është shumë i rëndësishëm për shëndetin e njeriut pasi ai ndihmon organet të kryejnë funksionin normal.
“Humbja e gjenit HNF4Q e bën kancerin e pankreasit të zhvillohet shumë shpejt dhe në mënyrë agresive”, ka thënë doktoresha Maria Hatziapostolu nga Universiteti John van Geest, në Nottingham.
Kanceri i pankreasit është një nga më të shpeshtit në botë. Me të diagnostikohen më shumë se gjysmë milioni njerëz çdo vit, ndërkohë që shanset për shpëtim nga kjo sëmundje janë të vogla.
“Studimet që bëmë na tregojnë se si sillet ky lloj kanceri dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që gjetëm mënyra për ta kuptuar më mirë sëmundjen, si shpërndahet dhe pse është kaq agresive”, ka thënë Hatziapostolu.
Ky lloj kanceri shpesh diagnostikohet në fazat e fundit kur mundësitë e trajtimit janë të pakta, gjë që bën që më shumë se gjysma e pacientëve të vdesin brenda tre muajsh pas diagnostikimit.
Shkencëtarë nga Universiteti i Nottinghamit, atij të Stanfordit, Universitetit të Kalifornisë si dhe nga qendra Ceder-Sinai në Los Angeles, kanë qenë të përfshirë në studim.
Financuesi i studimit, doktori Chris Macdonald, shef i studimeve në qendrën “Pancreatic Cancer” në Britani ka thënë se dëshpërimisht doktorët kanë nevojë për trajtime të efektshme kundër kancerit të pankreasit.