zakoni-i-perditshem-qe-mund-te-zgjase-jeten-per-5-deri-ne-10-vjet
Në një botë të ngarkuar, aktiviteti fizik në jetën tuaj të përditshme mund të vihet në rend të dytë.
Por një studim i ri ka treguar se të qenit aktiv, sa 25 për qind e popullsisë në SHBA, mund të ju shtojë të paktën pesë vjet jetë.
Ky hulumtim u publikua të enjten e kalaur në British Journal of Sports Medicine, raporton CNN.
Doktori, Lennert Veerman, autori kryesor i studimit dhe profesor i shëndetit publik në Universitetin Griffith, ka thënë se ishte i befasuar nga rezultatet.
“Humbja e viteve të jetës në SHBA për shkak të niveleve të ulëta të aktivitetit fizik mund të rivalizojë humbjet e jetës si rezultat i konsumimit të duhanit dhe presionit të lartë të gjakut”, ka thënë ai.
Ky studim është një vazhdim i hulumtimeve të mëparshme që kanë lidhur aktivitetin fizik me jetën më të gjatë.
Veerman ka theksuar se studimi pasoi një hulumtim të vitit 2019, i cili tregoi se aktiviti më i madh fizik ul rrezikun nga vdekja e parakohshme.
Ky aktivitet ishte matur me “accelerometrat”, pajisje që ndjekin lëvizjet.
Studiuesit kanë parashikuar se sa shumë mund të ndikojë aktiviteti fizik në jetëgjatësinë e popullsisë amerikane.
Ata analizuan të dhënat e popullsisë amerikane të vitit 2019 dhe zbuluan disa gjetje të rëndësishme.
Studimi përdori të dhëna nga “National Health and Nutrition Examination Survey” (2003–2006), ku të rriturit mbi 40 vjeç mbajtën accelerometra për të paktën 10 orë në ditë. Këto të dhëna u krahasuan me të dhënat e vdekshmërisë marrë nga viti 2017 për të parashikuar sa mund të shtohej jeta e njerëzve në vitet që vijnë në varësi të nivelit të aktivitetit fizik.
Nivelet e aktivitetit dhe jetëgjatësia:
Nëse të gjithë amerikanët mbi 40 vjeç do të ishin po aq aktivë sa grupi i 25% më aktivëve (të cilët ecin çdo ditë për rreth 105 minuta), jetëgjatësia mesatare do të rritej për 5.3 vjet, duke arritur deri në 83.7 vjet.
Ndërsa, ata që janë më pasivët (ata që ecin për 49 minuta në ditë me një shpejtësi prej 4.8 km/h) mund të humbin deri në 5.8 vjet jetë, duke i ulur pritshmërinë e jetës nga 78 vjet në rreth 73 vjet.
Përfitimet për individët:
Për ata që janë më pak aktivë, nëse shtojnë vetëm 111 minuta aktivitet në ditë (për shembull, ecje ose aktivitet tjetër fizik), mund të shtojnë deri në 11 vjet jetë.
Doktori Andrew Freeman, ekspert i shëndetit të zemrës, e komentoi studimin duke thënë se aktiviteti fizik ka rëndësi.
“Këto rezultate na tregojnë atë që e dimë tashmë: aktiviteti fizik është thelbësor për përmirësimin e shëndetit dhe jetëgjatësisë”, ka thënë ai.
Kjo do të thotë se sa më shumë lëvizje çdo ditë, aq më shumë mund të përmirësohet shëndeti dhe jetëgjatësia. Shtimi i disa minutave të aktivitetit fizik çdo ditë mund të ketë një ndikim të madh në jetën e njerëzve. Kjo është një arsye më shumë për të gjetur mundësi për të lëvizur më shumë, pavarësisht se sa shumë punë ka dikush për të bërë brenda ditës.
Doktori Peter Katzmarzyk, ekspert i shëndetit publik, ka theksuar se aktiviteti i ulët është i lidhur me sëmundje të rënda si ato të zemrës, goditje në tru, diabeti dhe kanceri.
“Të jesh fizikisht aktiv ul rrezikun nga këto sëmundje dhe vdekja si pasojë e tyre”, ka shtuar ai.
Sipas këtij studimi, nuk kanë rëndësi vetëm ushtrimet po edhe aktivitetet e përditshme, si ecja, qëndrimi dhe puna në shtëpi gjithashtu.
Disa mënyra të thjeshta për të shtuar lëvizje në jetën e përditshme:
Ushtrimet si “squats” apo ecja disa minuta kur ushqimi është duke u përgatitur.
Parkoni më larg kur shkoni për blerje.
Shkoni për një shëtitje me një mik në park, në vend të uljes në një kafe.
Përdorni tavolina që mund të qëndroni në këmbë gjatë punës.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të rriturit duhet të bëjnë të paktën 150 deri në 300 minuta aktivitet aerobik të moderuar ose 75 deri në 150 minuta aktivitet aerobik intensiv çdo javë. Veerman ka thënë se çdo lëvizje ka rëndësi, kështu që duhet shqetësuar nëse dikush nuk arrin të bëjë gjithçka që kërkohet.
Përmirësimi i infrastrukturës:
Freeman gjithashtu ka theksuar se ndërtimi i infrastrukturës më të mirë për këmbësorët në SHBA mund të sjellë përfitime të mëdha për shëndetin publik. Ai ka thënë si në Evropë, shumë njerëz ecin 10,000 deri në 20,000 hapa çdo ditë, falë infrastrukturës që kanë, e cila sipas tij, është më e përshtatshme për këmbësorët. Ai beson se SHBA-ja duhet të investojë më shumë për të krijuar qytete ku ecja bëhet më e lehtë.
Veerman ka shtuar se mund të bëhen ndryshime të rëndësishme në urbanizimin dhe planifikimin afatgjatë, duke e bërë aktivitetin fizik një pjesë të natyrshme të jetës së përditshme.
Sipas këtij studimi, ndërsa aktiviteti fizik mund të duket si një angazhim i madh, çdo lëvizje ka rëndësi dhe mund të sjellë përfitime të mëdha për shëndetin dhe jetëgjatësinë. Nuk ka nevojë për një ndryshim të madh, disa hapa më shumë në ditë mund të bëjnë diferencën.