Olimpiada gjithnjë ofron mundësi për të parë perfromancat më të mira të atletëve, por këtë vit po ofron diçka më shumë, modë.
Revista prestigjiozë "Vogue" ka shkruar për veshjet më të mira në olimpiadën që po mbahet në një ndër qytet e modës, Paris, ku krijuesit e modës po shfaqin kreativitetin edhe në arenën sportive.
Dukjet moderne e të bukura që deri më tani janë parë në ngjarje sportive, si kampionati i tenisit në Wimbeldon, tani janë zgjeruar në olimpiadë, ku përveç sportistëve, po marrin pjesë edhe shumë të famshëm të tjerë nga fusha të ndryshme.
Konglomerati LVMH ("Louis Vuitton" & "Mowt Hennessy"), sivjet po shërben si sponsor lider, duke u pasuar nga brende të tjera të mirënjohura të modës si "Ralph Lauren" e "Berluci", të cilët krijuan uniforma për përfaqësues të shteteve të ndryshme.
Për shkak të fokusit të madh ndërkombëtar që mori olimpiada e sivjetme, dukjet e sportistëve e të famshmëve të tjerë po shfaqen kudo në rrjete sociale. Nëpër video e fotografi, po shihen veshjet e kuruara deri në detaje nga mjeshtrit e brendeve prestigjioze për përfaqësues të ndryshëm, ku po shfaqen edhe detajet apo motivet përkatëse.

Brendi “Michel & Amazonka” ka krijuar veshjet për ekipin e Mongolisë. Kur këto veshje u shfaqën në rrjetin social TikTok, bënë bujë të madhe. Sipas Komitetit Olimpik Kombëtar Mongol, u deshën mesatarisht 20 orë për përfundimin e çdo uniforme.

"Ralph Lauren" ka krijuar uniformën e ekipit të SHBA-së. Ky brend krijon uniformat e përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, që nga viti 2008. Dukja e këtij viti është inspirim nga kostumet klasike amerikane, për të cilat njihet brendi.

"Puma" ka krijuar veshjet për përfaqësuesit e Xhamajkës duke kombinuar ngjyrën e zezë me të gjelbër e të artë. Më lansimin e uniformës për olimpiadën e sivjetme, drejtori i “Puma-s”, Arne Freundt, ka shpjeguar se këto veshje kombinojnë shpejtësinë me modën. Për krijimin e këtyre veshjeve, brendi ka përdorur material të veçantë, i cili largon nxehtësinë nga trupi duke siguruar rregullim të temperaturës trupore në mënyrë që performanca e sportistëve të jetë sa më e mirë.

"The New Originals" ka bërë veshjet për holandezët. Këtë vit, vallëzimi “breakdance” është zyrtarisht sport olimpik. Uniforma e ekipit të valltarëve përmbanë ngjyrat e flamurit holandez si dhe të portokalltën e ndezur të ekipit të futbollit.

"Berluti" ka realizuar veshjet për francezët. Ndërkohë që kostumet e tipit “tuxedo” nuk shkojnë edhe aq me veshjet sportive, "Berluti" ka përdorur elemente nga të dyja palët për krijimin e veshjeve të përfaqësuesve të Francës duke përfshirë gjithashtu edhe ngjyrat e flamurit. Këto veshje, brendi, i ka krijuar në bashkëpunim me stilisten Carine Roitfeld, e cila është ish-redaktore e versionit francez të revistës Vogue.
Antoine Arnault, (drejtori i LVMH-së), të cilin Vogue e quan “czar”, ka thënë se brendi "Berluti" është i aftë të bëjë veshje edhe për notarët, basketbollistët e gjimnastët.

Brendi "ASICS" ka veshur australianët me ngjyrë të gjelbër dhe të artë. Por, kur këto uniforma të shikohen më nga afër, mund të shihet se kanë printe me motive indigjene. Disenjatorët u inspiruan nga boksieri, Paul Fleming, i cili frymëzohet nga slogani “Walking Together”, si ide që Olimpiada është vend për të gjitha prejardhjet e kulturat. Uniformat e vitit 2024 shënojnë integrimin më të madh ndonjëherë të printimeve me motive indigjene në historinë e Lojërave Olimpike Verore.
(Këtu mund të ketë ndikuar edhe aktorja me prejardhje indigjene, Lily Gladstone, e cila avokoi për rrënjët e saj, në ngjarje të madha si ceremonitë e ndarjes së çmimeve “Oscar” e “Golden Globes”.)

"Lululemon" ka veshur ekipin kanadez duke krijuar veshje shumë moderne, të bukura e njëkohësisht të përshtatshme për botën e modës sportive. Veshjet e kanadezëve janë krijuar për të mbështetur të gjitha format trupore.

"Ben Sherman" ka krijuar veshjet e britanikëve, ku ka përfshirë shiritin me petale të katër luleve britanike, trëndafilit, gjembakut, të lules “daffodil” dhe të lules “shamrock”, të cilat simbolizojnë identitetin dhe historinë e çdo kombi në Mbretërinë e Bashkuar.

Disenjatrja nga Haiti, Stella Jean, i bashkoi forcat me piktorin Philippe Dodard, për krijimin e veshjeve speciale për ekipin nga Haiti. Ngjyra të theksuara u aplikuan në copa të thjeshta që u krijuan duke përdorur materialie të reciklueshme.