Lifestyle

Ushqimet më të mira për jetë të gjatë

Ushqimet e shëndetshme

Ushqimet e shëndetshme

Foto: Associated Press

Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë jetë të gjatë dhe të shëndetshme duan një formulë magjike për ta arritur këtë. Fatkeqësisht, kjo nuk është kaq e lehtë – por ka disa gjëra që mund të bëni për të rritur mundësitë tuaja, ka raportuar HuffPost.

“Nëse doni të jetoni më gjatë, përmirësoni atë që hani dhe filloni të lëvizni më shumë”, ka thënë doktoresha Linda Shiue, mjeke dhe drejtoreshë e mjekësisë kulinare në Kaiser Permanente në San Francisco.

Por, për të ditur saktësisht cilat ushqime duhet konsumuar për jetë më të gjatë mund të jetë e vështirë. Shiue ka thënë se, megjithëse askush nuk ka nevojë të jetë perfekt, është e rëndësishme të mbushet trupi me “ushqime në gjendjen e tyre natyrale, si drithëra të plota, perime, fruta, peshk, vezë dhe arra”. Në këtë mënyrë, sipas saj, ne i zëvendësojmë ushqimet e shumëpërpunuara në dietat tona, si ushqimet e gatshme që kanë karbohidrate të rafinuara dhe sheqer të tepërt si dhe buka e bardhë.

Por edhe kur dikush e di se cilat ushqime janë të mira, mund të jetë e vështirë të gjendet balanca e duhur për ushqime të shëndetshme që japin më shumë mundësi për të jetuar më gjatë, dhe ndonjëherë është e vështirë të gjendet ndonjë ëmbëlsirë që është e mirë për shëndetin në kohën kur dikush mund të ketë shumë dëshirë ta hajë ndonjë.

Perimet me gjethe të gjelbra

Të gjitha perimet janë të mbushura me ushqyes, por perimet me gjethe të gjelbra si brokoli, lakrat e Brukselit dhe lakra kanë fuqi të vërteta për jetë më të gjatë. 

“Ato janë të pasura me vlera ushqyese që luftojnë inflamacionin, kancerin dhe plakjen”, ka thënë doktori Mark Hyman, drejtor i UltraWellness Center në Lenox, Massachusetts.

Ai ka thënë gjithashtu se ato janë një burim i rëndësishëm i magnezit, një mineral që është përgjegjës për më shumë se 600 reaksione enzimash. Për më tepër, këto perime janë të pasura me folat, vitaminë B, që është e rëndësishme për jetëgjatësinë.

Folati gjithashtu mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për polipe të zorrës së trashë dhe mund të parandalojë kancerin e gjirit, mushkërive dhe atë të qafës së mitrës

“Vërtet nuk ka një kufi se sa shumë mund të hani perime me gjethe të gjelbra, por një rregull i mirë është t’i mbushni rreth tri të katërtat e pjatës me to”, ka sugjeruar Hyman.

Peshku 

Sipas Hyman, peshqit e yndyrshëm si salmoni i egër, sardele, anchoa, hering dhe makrela janë burime të cilësisë së lartë të proteinave dhe acideve yndyrore esenciale omega-3 DHA dhe EPA.

“Duhet të hani salmon dy herë në javë për të ulur rrezikun tuaj për sulm në zemër, aritmi, tension të lartë të gjakut dhe tri gliceride të larta”, ka shpjeguar doktori.

Acidet yndyrore omega-3 në peshqit e yndyrshëm gjithashtu mbrojnë kundër inflamacionit, shkak themelor i sëmundjeve kronike dhe të lidhura me moshën.

Drithërat e plota

Sipas Shiue, drithërat e plota mund të ndihmojnë për jetëgjatësi në shumë mënyra. 
Një studim i Shkollës për Shëndet Publik të Harvardit ka gjetur se drithërat e plota reduktojnë kolesterolin e keq LDL, tri gliceridet dhe ulin tensionin e gjakut. Ato gjithashtu mund të ulin rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit të tipit 2, sindromën metabolike dhe disa lloje kanceri.

Vaj ulliri ekstra i virgjër

Hyman ka thënë se kur bëhet fjalë për shëndetin, jo të gjitha vajrat janë kanë cilësi të barabarta. Vajrat ekstra të virgjër të ullirit janë të pasura me yndyra të monounsaturuara, të cilat janë të shëndetshme, antioksidantë dhe polifenole si oleuropein. 
Oleuropein është veçanërisht i mirë sepse ka veti kundër kancerit, kundër inflamacionit, veti mbrojtëse për zemrën dhe trurin.

“Vetëm një gjysmë luge çaji vaj ekstra i virgjër i ullirit në ditë mund të ulë ndjeshëm rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet neurodegjenerative, sëmundjet e frymëmarrjes dhe kanceri”, ka thënë Hyman.

Frutat e malit

Sipas Shiue, frutat e malit kanë nivel të ulët glikemik, që do të thotë se ato nuk shkaktojnë ngritje të larta të sheqerit në gjak. Kjo mund të ndihmojë në parandalimin e diabetit. Frutat e malit kanë nivele të larta antioksidantësh, të cilët ndihmojnë në riparimin e qelizave, përfshirë ato të zemrës. Këto cilësi i bëjnë këto fruta një zgjedhje të shkëlqyer për ëmbëlsirë kur dikush ka dëshirë të konsumojë diçka të ëmbël.

Ushqimet e fermentuara

Kimchi, kombucha, tempeh, miso, sauerkraut dhe ushqime të tjera të fermentuara janë burime të “baktereve të dobishme që ju ndihmojnë të ruani shëndetin e zorrëve”, ka thënë Hyman.

Këto “baktere të dobishme” janë një formë bakteresh që mund të rrisin përgjigjen e imunitetit, të ulin inflamacionin dhe të rrisin llojet e mikroorganizmave në zorrë. Të gjitha këto mund të ndikojnë edhe në jetëgjatësi. 

Arrat dhe farat 

“Arrat dhe farat janë të mbushura me proteina dhe fibra”, ka thënë doktoresha Florence Comite, themeluese e "Comite Center for Precision Medicine and Healthy Longevity" në New York. 
Arrat, farat e lulediellit, arrat e brazilit, farat e kungullit dhe ato të kajsisë janë të gjitha zgjedhje të shkëlqyera që mund të ndihmojnë në reduktimin e yndyrës së dëmshme dhe përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës.

Kosi

Për një jetë më të gjatë, Comite rekomandon konsumimin e kosit pa sheqer të shtuar, sepse ai është i pasur me proteina, kalcium dhe magnez. Ai gjithashtu përmban acid gama-aminobutirik (GABA), “një neurotransmetues që relakson trupin, ul stresin dhe përmirëson cilësinë e gjumit”, ka thënë ajo.

Çokollata e zezë

Çokollata e zezë, përveç që është e shijshme, ka shumë përfitime shëndetësore. 
Sipas Comite, kjo çokollatë është e lidhur me rrezik më të ulët për sulm në zemër dhe diabet, sepse është e pasur me polifenole dhe flavonoide të mbushura me antioksidantë.

Lagumet

Lagumet si thjerrëzat, bishtajoret, qiqrat dhe kikirikët janë burim proteinash dhe fibrash bimore. Shiue ka thënë se ato mund të stabilizojnë sheqerin në gjak dhe të ulin kolesterolin.

“Ato mund të ndihmojnë në mbajtjen e sistemit të tretjes në funksion dhe të ulin rrezikun për kancerin e zorrës së trashë”, ka thënë tutje doktoresha.

Domatet
Domatet përmbajnë likopen, i cili është antioksidant i rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Shiue ka thënë se ato gjithashtu kanë nivele të larta të vitaminës C, e cila është e rëndësishme për imunitetin dhe shërimin e plagëve.