Nëse ndonjëherë dikush mund të ketë vështirësi të kuptojë çfarë po thotë dikush në një dhomë me shumë zhurmë, për shembull, në një restorant apo në një festë, shkenca mund të ketë një zgjidhje të befasishme: trokitjen me gisht para se të filloni të dëgjoni, ka raportuar ScienceAlert.
Një grup studiuesish nga Universiteti Aix-Marseille në Francë, të udhëhequr nga psikolinguistja Noémie te Rietmolen, zhvilluan një seri eksperimentesh për të kuptuar më mirë si ndikon lëvizja fizike në përpunimin e të folurës në kushte të zhurmshme.
“Sistemi motorik nuk është vetëm një ekzekutues i lëvizjeve, por kontribuon aktivisht në përpunimin dhe rikujtimin e informacionit kohor”, kanë shkruar studiuesit.
Në eksperimentin kryesor, pjesëmarrësit, të gjithë folës të frëngjishtes, dëgjuan 40 fjali të regjistruara, të lexuara nga një person, ndërsa në sfond dëgjohej zhurmë që e vështirësonte kuptimin.
Para se të dëgjonin fjalitë, atyre iu kërkua të përgatiteshin duke:
Trokitur me gisht në ritmin e vet,
Trokitur sipas një ritmi të dhënë me zë,
Dëgjuar ritmin e dhënë pa lëvizuar duart,
Ose të rrinin në heshtje pa bërë asgjë.
Ata që trokitën fizikisht, qoftë në ritmin e tyre apo në një ritëm të caktuar, kishin ndjeshëm më shumë sukses në kuptimin e fjalive, si në saktësi ashtu edhe në shpejtësinë e reagimit.
“Këto rezultate tregojnë rolin funksional të sistemit motorik në përpunimin e dinamikës kohore të të folurës”, thuhet në deklaratën e studimit, që u publikuar në Proceedings of the Royal Society B.
Pra, herën tjetër që dikush nuk arrin të dëgjojë partnerin/partneren mes zhurmës në një darkë romantike, trokitja me gisht mund të ndihmojë.