Lifestyle

Trefishohet numri i vdekjeve nga demenca

Demenca

Demenca

Vdekjet si pasojë e sëmundjet së demencës janë trefishuar në 21 vjetët e fundit, sipas një studimi të ri që u publikua në "The Primary Care Companion for CNS Disorders".

Demenca është sëmundje e harresës e cila bën pjesë në sëmundjet neurodegjenrative.

Sipas studimit, në vitin 1999, rreth 15 mijë amerikanë kanë vdekur nga demenca. Deri në vitin 2020, ky numër është trefishuar në më shumë se 45 mijë, shkruan ABC News.

“Shanset e vdekjes nga demenca u rritën në secilin nga grupet që morën pjesë në studim”, ka thënë autori i studimit Mhsan Ali, nga Universiteti King Edward në Pakistan.

Ai ka shtuar se një ndër arsyet se pse është rritur numri mund të jetë se njerëzit po jetojnë më gjatë dhe mund të diagnostikohen më herët.

“Mosha është një ndër faktorët rrezikues për diagnostikim. Sidoqoftë edhe sëmundjet kronike si ato të zemrës, diabeti dhe mbipesha mund të jenë faktorë kontribuues në demencë”, ka thënë Ali.

Ritmi i rritjes së numrit të vdekjeve nga demenca është më shumë i shprehur te gratë, afroamerikanët dhe njerëzit që u përkasin komuniteteve rurale të pazhvilluara.

“Rritja e numrit të grave që vdesin nga demenca, mund të jetë sepse gratë jetojnë më gjatë se burrat, ndërkohë që mund të ketë edhe të tjerë faktorë, gjenetikë e biologjikë”, ka thënë Ali ndërkohë që ka shtuar se zonat e pazhvilluara kanë më pak qasje në shërbime shëndetësore, kanë më pak specialistë shëndetorë për rastet me sëmundje të demencës dhe mundësi të vogla për shërbime mbështetëse.

Afroamerikanët e kanë shkallën më të madhe të vdekjeve nga kjo sëmundje, pas tyre vijnë njerëzit e racës së bardhë pastaj latinët.

Faktorët e stilit të jetesës që ndikojnë në diagnostikim me demencë janë: niveli i edukimit, lëndimet e kokës, niveli i aktiviteti fizik, konsumimi i duhanit e alkoolit, hipertensioni, mbipesha, diabeti, niveli i kolesterolit në gjak, shëndeti i dëgjimit, depresioni, izolimi social, shëndeti i të parit dhe ekspozimi ndaj ajrit të ndotur.