Lifestyle

Trajtimi i ri për mëlçinë e dhjamosur mund të shpëtojë miliona njerëz

Sëmundja e mëlçisë së dhjamosur

Shkencëtarët nga Michigan Medicine kanë bërë një zbulim të rëndësishëm për trajtimin e sëmundjes së mëlçisë së dhjamosur joalkoolike (NAFLD), sëmundje kjo që prek miliona njerëz në mbarë botën.

Studimi i tyre ka çuar në zhvillimin e një ilaçi të ri, DT-109, i cili thuhet se ka potencial për të ndihmuar në rikuperimin e dëmtimit të mëlçisë që shkaktohet nga forma më e rëndë e NAFLD, e njohur si steatohepatiti joalkoolik (NASH), raporton The Brighter Side.

NAFLD karakterizohet nga akumulimi i yndyrave në mëlçi, që mund të shkaktojë inflamacion dhe dëmtim afatgjatë. Ekspertët kanë vlerësuar kjo sëmundje prek deri në 32% të popullsisë globale. 
Forma më e avancuar e NASH, prek rreth 6.5% të njerëzve dhe mund të shkaktojë dëmtime të pakthyeshme të mëlçisë, duke përfshirë cirrozën dhe dështimin e mëlçisë. Deri tani, nuk ka pasur trajtim efektiv për NASH.

DT-109, një tripeptid i bazuar në glycine, u testua në minj. Rezultatet kanë treguar se ilaçi ishte efektiv në uljen e grumbullimit të yndyrave në mëlçi dhe parandalimin e formimit të dëmtimeve duke stimuluar degradimin e acideve yndyrore dhe formimin e antioksidantëve. Ky ilaç gjithashtu ka ndaluar prodhimin e acidit lithocholic, një acid të dëmshëm biliar që lidhet ngushtë me NASH. Këto rezultate sugjerojnë se DT-109 mund të luajë rol të rëndësishëm në përmirësimin e dëmtimeve të shkaktuara nga NASH.

Doktori Eugene Chen, autor kryesor i studimit nga Universiteti i Mjekësisë i Michiganit, ka theksuar rëndësinë e këtij zbulimi.
“NASH po rritet me një ritëm të frikshëm, dhe trajtimi i minjve me ilaçin tonë, DT-109, na afron më shumë se kurrë në trajtimin e miliona njerëzve që vuajnë nga ky problem. Shumë prej ilaçeve për NASH kanë pasur dështime dhe nuk kanë arritur të plotësojnë standardet e sigurisë dhe efekasitetit”, ka thënë Chen.

Sipas ekspertëve ky studim, që përfshiu bashkëpunimin me ekipe kërkimore ndërkombëtare, ka forcuar besueshmërinë e tij dhe ka treguar një hap të madh përpara në trajtimin e NASH.

Sëmundja e mëlçisë së dhjamosur joalkoolike (NAFLD) është një problem në rritje në mbarë botën, dhe kjo rritje ka ardhur paralelisht me rritjen e rasteve me obezitetet. Kjo sëmundje lidhet ngushtë me sindromën metabolike, që përfshin obezitetin, presionin e lartë të gjakut dhe rezistencën ndaj insulinës. 

NASH është një formë më e rëndë që ndihmon në përparimin e dëmtimeve të mëlçisë, duke shkaktuar inflamacion dhe formimin e shenjave të shkaktuara nga dëmet.

Edhe pse ndryshimet në stilin e jetesës si dieta dhe aktiviteti fizik janë të rekomanduara për ata që vuajnë nga NAFLD dhe NASH, këto ndryshime shpesh janë të vështira për t’u mbajtur dhe nuk mund t’i kthejnë pas dëmet që tashmë janë shkaktuar në mëlçi.

Nëse provat klinike për DT-109 janë të suksesshme, ky ilaç mund të bëhet ilaçi i parë i miratuar për trajtimin e NASH, duke ofruar një mundësi shumë të nevojshme për pacientët që aktualisht kanë pak mundësi trajtimi. 

Ky zbulim është një hap i madh përpara për studiuesit dhe mjekët që po punojnë për të trajtuar këtë problem në rritje. 

“Me miliona njerëz që vuajnë nga NASH, nevoja për një trajtim efektiv është më urgjente se kurrë”, ka thënë ndër të tjera Chen.