Lifestyle

Testi i urinës mund të zbulojë kancerin e mushkërive në fazat e hershme

Testi i urinës

Shkencëtarët kanë krijuar një test të urinës që mund të tregojë shenjat e para të mundshme të kancerit të mushkërive, duke ofruar shpresë për një diagnozë më të hershme dhe mundësi më të mira për trajtim.

Shumë raste të kancerit të mushkërive diagnostikohen në faza të avancuara, duke e bërë më të vështirë trajtimin e sëmundjes. 

Por, The Guardian ka shkruar se shkencëtarët kanë deklaruar se shpresojnë që zbulimi i hershëm mund të sjellë trajtime më të shpejta, duke u ofruar pacientëve mundësi më të mëdha për të luftuar sëmundjen.

Ky test novator kërkon proteina nga qelizat e quajtura “zombie”, që mund të tregojnë kancerin e mushkërive në fazat më të hershme. Kjo metodë është testuar me sukses te minjtë, dhe shkencëtarët po shpresojnë që provat në njerëz të fillojnë së shpejti.

Shkencëtarët nga Universiteti i Kembrixhit dhe Eraly Cancer Institure kanë studiuar proteinat që sekretohen nga qelizat që janë të gjalla, por nuk mund të rriten dhe ndahen. Këto qeliza shpesh quhen “zombie” pasi mbijetojnë në trup, por nuk janë të afta për të u zhvilluar më tej. Ato shkaktojnë dëmtime në indet rreth tyre dhe ndihmojnë në krijimin e kushteve që mund të çojnë në shfaqjen e qelizave kancerogjene.

Për të zbuluar këto proteina, shkencëtarët kanë zhvilluar një sensor injektues që bashkëvepron me proteinat e qelizave “zombie” dhe liron një komponim që mund të zbulohet lehtësisht në urinën e pacientëve.

“Ne e dimë se para se kanceri të shfaqet, ka ndryshime në indet e prekura. Një nga këto ndryshime është grumbullimi i qelizave të dëmtuara, që nuk janë mjaft të dëmtuara për t’u eliminuar, por janë të mjaftueshme për të lëshuar sinjale që riplanifikojnë ndërtimin e indeve dhe e bëjnë të përshtatshëm për zhvillimin e kancerit”, ka shpjeguar profesoresha  Ljiljana Fruk.

Shkencëtarët kanë identifikuar një proteinë të veçantë që lëshohet nga këto qeliza në indin e mushkërive dhe krijuan një sondë që ndahet në dy pjesë kur është e pranishme kjo proteinë. Pjesa më e vogël e sondës lirohet në urinë përmes veshkave. Kur arrin në urinën, kjo pjesë është shumë e vogël për t‘u zbuluar, por mund të bëhet e dukshme duke shtuar një tretje argjendi, që është i njëjti komponim argjendi që përdorej në fotografi në periudhën e filmave analogë.

Shkencëtarët kanë deklaruar se po shpresojnë që ky test të ndihmojë mjekët të identifikojnë shenjat e fazave të hershme të kancerit, mundësisht muaj ose edhe vite para se simptomat e dukshme të shfaqen.

Ky studim, i financuar nga “Cancer Research UK”, synon të krijojë një alternativë më të lirë ndaj skanimeve të shtrenjta për diagnostikimin e kancerit të mushkërive. Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjes nga kanceri në botë, duke shkaktuar rreth 1.8 milionë vdekje çdo vit.
Shanset për mbijetesë janë shumë të ulëta në format më të avancuara të sëmundjes, ku tumoret janë tashmë shumë të përhapura.