Lifestyle

Testi i gjakut që parashikon sëmundjen e Parkinsonit

parkinson-test gjaku

Studiuesit thonë se një test gjaku, që përdor inteligjencën artificiale për të parashikuar shënuesit në gjakun e pacientit, mund të ndihmojë në parashikimin e sëmundjes së Parkinsonit deri në shtatë vjet përpara se pacientët të përjetojnë simptoma.

“Isha 29 vjeç kur u diagnostikova. Isha shumë e re për Parkinson”, thotë Emma Lawton, e cila jeton me këtë sëmundje. 

Ajo merr ilaçe të përditshme për t’i menaxhuar simptomat e saj, shkruan AP

Dridhjet dhe spazmat  të lidhura me gjendjen po ndikojnë në jetën e saj të përditshme.

“Zgjohem në mëngjes dhe dua të bëj shumë gjëra. Të vrapoj, të krijoj gjëra artizanale, disa punë të përditshme, të bëj dush apo të vishem, mirëpo trupi im thjesht vendos se ato nuk mund të bëhen njëherë. Do ta përjetoj spazmën në ato momente”. 

Parkinson është një sëmundje degjenerative e shkaktuar nga humbja e qelizave nervore e cila nga ana tjetër shkakton një humbje të dopaminës kimike.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kjo jo vetëm që ndikon në lëvizjen e trupit, por gjithashtu ndikon në disponimin dhe kontribuon në depresion dhe shëndet të dobët mendor.

Simptomat përkeqësohen gradualisht, por shpejtësia e përkeqësimit ndryshon nga personi në person.
Tani një test i ri gjaku, i zhvilluar nga studiuesit në University College London dhe University Medical Center Goettingen, mund të ndihmojë në parashikimin e Parkinsonit deri në shtatë vjet përpara se simptomat të shfaqen. 

“Sëmundja e Parkinsonit është një gjendje vërtet e vështirë për të jetuar dhe jam e sigurt se edhe për shërbimet shëndetësore është goxha dërrmuese si sëmundje. Por ta dish se mund ta shmangësh, ndikon shumë në gjendjen emocionale”, thotë Lawton.

Testi analizoi gjakun e 72 pacientëve të cilët kishin një çrregullim që shihet shpesh te pacientët me Parkinson.

Mjeti i inteligjencës artificiale  analizoi gjakun dhe identifikoi 79% të pacientëve që kishin biomarkerët e Parkinsonit.

Shkencëtari kryesor, Profesor Kevin Mills nga Instituti i Shëndetit të Fëmijëve në University College London  thotë se nëse e dimë se kush ka një shans të lartë për të zhvilluar sëmundjen, atëherë mjekët mund të provojnë potencialisht terapi të reja eksperimentale për ata pacientë për ta frenuar sëmundjen.

Hulumtimi është publikuar në Nature Communications.