Për herë të parë terapia gjenetike është përdorur për ta rikthyer dëgjimin te fëmijët e vegjël, që ishin plotësisht të shurdhër, shkruan agjencia “AP”.
Fëmijët në Shangai u trajtuan të gjithë si pjesë e një prove nga studiues amerikanë dhe kinezë. Mjekët thonë se fëmijët po kënaqin prindërit e tyre duke folur me ta, duke dëgjuar muzikë dhe duke vallëzuar për herë të parë në jetën e tyre.
Pesë fëmijët sapo kanë zbuluar botën e zërit dhe duket se janë gati të krijojnë listën e tyre muzikore.
Ata janë të moshave nga 1 deri në 11 vjeç dhe janë në provë klinike në spitalin Fudan në Shanghai për ta rikthyer dëgjimin.
Ata të gjithë e kanë të trashëguar këtë gjendje, të shkaktuar nga mutacioni në gjenin e quajtur “OTOF”.
Normalisht prodhohet një proteinë, e cila bën qelizat e qimeve në veshin e brendshëm të komunikojnë me nervin e dëgjimit.
Pa këtë komunikim, dëgjimi nuk është i mundur.
Për terapinë për të zëvendësuar gjenin e dëmtuar, terapia gjenetike shpërndahet me një infuzion duke përdorur një virus të padëmshëm të dobësuar, i cili injektohet përmes një kateteri në një vrimë të shpuar në kockën pas veshit.
Virusi, më pas jep doza të vogla të informacionit gjenetik që mban në qelizat e veshit.
Një dozë e vetme është gjithçka që kërkohet për secilin vesh.
Studiuesit në Fudan po bashkëpunojnë me mjekët në Mass Eye and Ear Hospital, që është pjesë e Shkollës Mjekësore të Harvardit.
Është hera e parë që fëmijëve të shurdhër në të dy veshët iu jepet trajtimi.
Deri më tani në testime janë përdorur terapi gjenetike vetëm në një vesh.
Bashkautori i studimit, Dr Zheng-Yi Chen, thotë se është jetike t’u jepet fëmijëve dëgjim normal në të dy veshët, nëse duan të bëjnë jetë normale.
“Ne përdorim dy veshë për të dëgjuar, dhe kjo na ndihmon të lokalizojmë burimin e zërit. Ne e dimë se nga vjen zëri, është shumë e rëndësishme. Pikërisht kur mendoni për sigurinë, kur dalim në rrugë dhe makinat vijnë papritmas, është tingulli që na ndihmon të perceptojmë nga po vjen vetura”.
“Ose, për shembull në restorant, shembulli i përsosur. Ju keni vetëm një vesh që mund të dëgjoni, atëherë gjërat janë shumë të vështira për ju që të kuptoni ndonjëherë atë që është thënë, për shkak se në njërën anë përballeni me zhurmën e restorantit dhe në anën tjetër me fjalimet që duhet t’i dëgjoni”.
Fëmijët që kanë marrë terapinë vitin e kaluar tashmë po tregojnë përmirësim të dukshëm sipas mjekëve.
Ata nuk e kanë ende atë që quhet dëgjim normal, por brenda disa javësh mund t’i përgjigjen zhurmës dhe kanë filluar të formojnë fjalë.
Mjekët thonë se provat e mëparshme të ilaçit të dorëzuar në njërin vesh, treguan se përmirësimet në dëgjim janë progresive dhe vazhdojnë shumë muaj pas injektimit fillestar.