Shkencëtarët kanë arritur të krijojnë dhëmbë të ngjashëm me ata të njeriut në eksperimente me derra dhe besojnë se në të ardhmen do të jetë e mundur të krijohen dhëmbë të rinj në laborator për përdorim njerëzor, ka raportuar The Telegraph.
Ekspertët e Universitetit "Tufts" në SHBA kanë zhvilluar një studim të avancuar duke përdorur qeliza nga dhëmbët e njerëzve dhe derrave. Këto qeliza u kombinuan dhe u rritën në laborator për të formuar inde dentare.

Dhëmbët e krijuar u implantuan në gojën e derrave dhe vazhduan të rriteshin, megjithëse nuk kishin formën dhe madhësinë perfekte. Megjithatë, rezultati përfundimtar i ngjante një dhëmbi natyral, çka është një hap i rëndësishëm në fushën e inxhinierisë dentare.
Profesoresha Pamela Yelick, e cila drejtoi studimin, ka thënë se është optimiste për të ardhmen e kësaj teknologjie.
“Jam 100% e sigurt se rigjenerimi i dhëmbëve njerëzorë është i mundur. Besoj se mund ta arrijmë këtë gjatë jetës sime, dhe unë jam në mes të të 60-ave”, ka deklaruar ajo në konferencën e Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës (AAAS) në Boston.
Ajo ka theksuar se përparimet e shumta në teknologji, inxhinieri të indeve, mjekësi rigjeneruese dhe stomatologji po ndikojnë në njëra-tjetrën, duke e afruar gjithnjë e më shumë këtë inovacion drejt realizimit.