Fillimi i një viti të ri: kohë për optimizëm, plane ambicioze por edhe ndjenja se muajt e parë mund të jenë një ngërç i zymtë.
Për ata që i frikësohen të ftohtit dhe errësirës, ndihma është në horizont. Studiuesit në Kanadë po hetojnë një truk të thjeshtë që shpresojnë se do t’i ndihmojë në gjendjen shpirtërore edhe në ditët që janë të shkurtra e me ngrica.
“Njerëzit vërtet kanë nevojë për diçka që t’u ndihmojë gjatë dimrit, veçanërisht pas Krishtlindjeve”, ka thënë Holli-Anne Passmore, psikologe që drejton studimin në Universitetin Concordia në Alberta. “Nëse njerëzve nuk u pëlqen dimri fillimisht, ata nuk shohin asgjë të mirë në të”.
Mes janarit dhe marsit, plani për të paktën 100 vullnetarë është që të kalojnë dy javë në rutinat e tyre të zakonshme, por me një ndryshim të vogël. Ata do të qëndrojnë në Edmonton, një qytet ku dita në dimër zgjat shtatë orë dhe temperaturat shkojnë deri në -35 gradë Celsius, shkroi The Guardian.
Pjesëmarrësve do t’u kërkohet që t’i kushtojnë vëmendje natyrës mes asaj që njeriu ka krijuar – pemëve të ngrira pranë ndërtesave, gjurmëve të kafshëve në trotuarin me dëborë, akujt që zgjaten nga kulmet e shtëpive – dhe të mbajnë shënime se si i bënë të ndihet ajo.
Para dhe pas kësaj prove pjesëmarrësit do të plotësojnë pyetësorë dhe studiuesit mund të shohin nivelin e tyre të ankthit, stresit, lumturisë, kënaqësisë dhe lidhjen me botën. Më pas ata do të shohin nëse natyra mes një mjedisi ku ka prekur dora e njeriut ofron diçka në rritjen e disponimit.
“E dimë se njerëzit po largohen gjithnjë e më shumë nga natyre. Një prej arsyeve janë ndërtimet, por gjithashtu jemi të lidhur pas celularëve. Sinqerisht, na duhet vetëm të shikojmë përreth nesh”, ka thënë Passmore.