Një test i ri, që analizon ADN-në nga pështyma e i realizueshëm në kushte shtëpie, është treguar më i saktë për parashikimin e rrezikut nga kanceri i prostatës sesa testi standard i gjakut (PSA), sipas një studimi të publikuar në New England Journal of Medicine, ka raportuar The Guardian.
Ky test, i cili përllogarit një rezultat poligjenik të rrezikut duke analizuar 130 variante gjenetike, ishte veçanërisht i suksesshëm në identifikimin e formave agresive të kancerit, të cilat kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm.
“Me këtë test, mund të ndryshojmë rrjedhën e betejës kundër kancerit të prostatës”, ka thënë profesoresha Ros Eeles, autore kryesore e studimit nga Institute of Cancer Research, Londër.
Në studim morën pjesë mbi 6,000 burra të moshës 55–69 vjeç, të rekrutuar nga mjekët familjarë. Ata me rezultatin më të lartë të rrezikut u ftuan për rezonancë magnetike (MRI) dhe biopsi. 40% e tyre rezultuan me kancer të prostatës. Në krahasim, vetëm 25% e burrave me nivel të lartë të PSA-s rezultojnë me të vërtetë me kancer.
“Ky test identifikon më shumë raste agresive se testi PSA: 55% krahasuar me 35.5%”, ka theksuar Eeles.
Aktualisht, testimi PSA nuk ofrohet në mënyrë rutinore nga institucionet shëndetësore në Britani, pasi ka shkallë të lartë gabimesh, 3 deri në 4 teste japin rezultate false pozitive, dhe shpesh zbulon kancere që nuk paraqesin rrezik real për jetën.
I sëmuri me kancer terminal, ish-çiklisti Chris Hoy, ka kërkuar që testet të jenë në dispozicion për personat që shihen si më të rrezikuar.
“Ne mund të identifikojmë burrat në rrezik të lartë që kanë nevojë për teste të mëtejshme dhe t’i kursejmë të tjerët nga trajtime të panevojshme”, ka shtuar Eeles, gjithashtu onkologe në spitalin Royal Marsden.
Studiuesit po zhvillojnë versione të përditësuara të testit për burrat me prejardhje aziatike dhe afrikane, duke synuar që kjo metodë të përdoret së bashku me testet ekzistuese për t’i ndihmuar në vendimmarrjen e saktë për trajtim.
“Testi PSA shpesh çon në trajtime të panevojshme dhe më shqetësuese, pasi dështon të zbulojë disa lloje kanceri. Ka nevojë urgjente për metoda më të mira testimi”, ka thënë profesori Kristian Helin, drejtor i Institute of Cancer Research.