Sipas studimit të ri, më i madhi që është bërë në lidhje me këtë çështje, shumica e adoleshentëve që kanë vuajtur nga Covidi i gjatë janë përmirësuar pas dy vjetëve.
Por ekipi i studiuesve kanë deklaruar se duhet të bëhet më shumë punë në mënyrë që të kuptohet se pse fëmijët ende kishin probleme me shëndetin dy vjet pas infeksionit, ka shkruar “The Guardian”.
I udhëhequr nga ekspertë të Kolegjit Universitar në Londër (UCL), studimi ka ekzaminuar të dhënat e mijëra fëmijëve e adoleshentëve. Të rinjtë prej moshës 11 vjeçe deri në 17 vjeç u pyetën rreth shëndetit të tyre, tre, gjashtë, 12 e 24 muaj pasi iu nënshtruan testit të Covidit, në mes të periudhës shtator 2020 dhe mars 2021.
Nga 12 mijë e 632 adoleshentë dhe fëmijë më të rritur, të cilët morën pjesë në studim, 943 patën test pozitiv dhe dhanë përgjigje në tre, gjashtë, 21 e 24 muaj pas bërjes së testit të parë.
Prej tyre, 233 ishin më të predispozuar të kenë Covid të gjatë, tre muaj pas bërjes së testit, që u doli pozitiv.
Në gjashtë muaj, 135 pjesëmarrës vazhduan të kishin Covid të gjatë, thuhet në studimin që është publikuar në gazetën “Nature Communications”. Studimi u financua nga “National Institute of Health and Care Research” dhe “UK Research and Innovation”.
Fëmijët dhe adoleshentët u kategorizuan se kishin Covid të gjatë, nëse kishin më shumë se një simptomë - për të paktën tre muaj - të lodhjes, vështirësi me gjumin, shkurtim të frymëmarrjes apo kokëdhembje, si dhe probleme me vetë kujdesin, bërjen e aktiviteteve të përditshme, të pasurit dhimbje dhe jo rehati apo të ndiheshin shumë të shqetësuar apo të mërzitur.
Pas një viti, 94 për qind e pjesëmarrësve u vlerësuan se ende kishin Covid të gjatë, numër ky që u zvogëlua në 68 dy vjet pas testit të parë pozitiv.
Ekspertët kanë theksuar se kjo do të thotë se 70 për qind e atyre që kanë pasur Covid të gjatë tre muaj pas infektimit u është përmirësuar gjendja brenda dy vjetëve. Por 30 për qind nuk panë përmirësime. Këta fëmijë kanë raportuar një mesatare prej pesë deri në shtatë simptoma çdoherë që raportuan rreth shëndetit të tyre.
Simptomat më të zakonshme ishin lodhja, vështirësitë me gjumin, problemet me frymëmarrje dhe kokëdhembja.
“Gjetjet tona tregojnë se adoleshentët që përmbushin definicionin tonë të Covidit të gjatë, tre muaj pas testit pozitiv me Covid, shumica prej tyre janë përmirësuar pas dy vjetësh”, ka thënë autori i studimit Terence Stephenson, nga UCL.
Ai gjithashtu ka shtuar se ky është lajm i mirë, por megjithatë duhet të bëhen ende studime në mënyrë që të kuptohet më mirë arsyeja se përse 68 adoleshentë pjesëmarrës në studim nuk janë përmirësuar.
Adoleshentët më të rritur si dhe ata individë që ishin më të cenuar, ishin më të prirë të kenë Covid të gjatë.
Studimi gjithashtu ka gjetur se vajzat ishin më të prira se djemtë të kenë Covid të gjatë, ani pse studimi nuk mori parasysh ciklin menstrual si dhe sindromën paramenstruale.
“Ky studim prapë tregon se problemet shëndetësore si Covidi i gjatë kanë tendencë që t’i prekin ata persona që janë më të pafavorizuar nga shoqëria, të rinj apo të vjetër”, ka thënë doktori Nathan Cheetam nga “Kings College” në Londër.
Ai ka shtuar se këto rezultate forcojnë nevojën për të theksuar shkaktarët e sëmundjeve, gjëra të tilla si kushtet e vështira të jetesës, stresi financiar, si dhe qasje e pabarabartë në shërbimet e kujdesit shëndetësor.
“Duhet t’i kemi parasysh këto gjëra, nëse duam ta rrisim fokusin drejt parandalimit të sëmundjes”, ka thënë Cheetam.
Në anën tjetër Sammie McFarland, nga fondacioni bamirës “Long Covid Kids”, ka thënë se dy vjet janë të gjata kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve.
“Ndërkohë që studimi na tregon se shumica prej tyre shërohen brenda kësaj periudhe kohore, 30 për qind e fëmijëve dhe njerëzve të rinj që ende janë të prekur, na tregon se Covidi i gjatë mbetet ende një nga shqetësimet më të mëdha të fëmijërisë”, ka thënë ai.
McFarland ka shtuar se kjo gjë vë në pah nevojën urgjente për trajtime efektive.
“Faktorët hormonalë kërkojnë investigim të mëtutjeshëm, ani pse gjetjet ofrojnë shpresë”, ka thënë ai.
Doktoresha Margaret O’Hara, nga organizata bamirëse “Long Covid Support”, ka thënë se limitimet e këtij studimi tregojnë se ka nevojë të bëhen ende studime në mënyrë që të kuptohet më mirë efekti i Covidit të gjatë te fëmijët dhe të rinjtë.
“Është për t’u befasuar fakti se edhe në vitin e pestë të pandemisë ende nuk dihet barra e vërtetë e dëmit që u është bërë e po vazhdon t’u bëhet fëmijëve dhe adoleshentëve në Mbretërinë e Bashkuar”, ka thënë ajo.