Lifestyle

Rreziku për Alzheimer rritet kur mungesa e gjumit të thellë shkakton dëmtime në tru

Truri

Truri

Foto: Associated Press

Gjumi cilësor është thelbësor për shëndetin e trurit dhe parandalimin e sëmundjes së Alzheimerit.

Studimet tregojnë se pamjaftueshmëria e dy fazave të gjumit, gjumit të thellë dhe gjumit me lëvizje të shpejta të syve (REM - Rapid Eye Movement) mund të shkaktojë tkurrje të trurit dhe përkeqësim të funksioneve njohëse. 

Sipas një studimi të ri kjo mund të përshpejtojë përkeqësimin e pjesëve të trurit të lidhura me sëmundjen e Alzheimerit, ka raportuar CNN.

Lidhja mes gjumit të thellë dhe dëmtimit të trurit

Sipas Gawon Cho, studiues në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Yale, mungesa e gjumit të thellë çon në tkurrjen e rajonit inferior parietal të trurit, një zonë kritike për përpunimin e informacionit vizual dhe hapësinor.

“Gjetëm se vëllimi i kësaj pjese të trurit zvogëlohet te njerëzit me mungesë të gjumit të thellë dhe REM”, ka thënë Cho,i cili është autor kryesor i studimit.

Doktori Richard Issacson, një neurolog i njohur për punën e tij në klinikat e parandalimit të Alzheimerit, konfirmon se rezultatet e studimit përputhen me përvojën e tij klinike.

“Ne gjithashtu kemi zbuluar se matjet e gjumit të thellë parashikojnë funksionin njohës, kështu që, midis kësaj dhe vëllimit të trurit, lidhja është e vërtetë”, ka thënë Issacson.

Çfarë ndodh në tru gjatë gjumit të thellë?

Gjatë gjumit të thellë, truri eliminon toksinat dhe qelizat e vdekura, duke u riparuar dhe rigjeneruar për ditën e ardhshme. Ndërkohë, gjatë fazës REM, truri përpunon emocionet, konsolidon kujtimet dhe përvetëson informacion të ri.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), 1 deri në 3 të rritur amerikanë nuk flenë mjaftueshëm, gjë që mund të ndikojë negativisht në shëndetin e trurit.

Ekspertët rekomandojnë që:

Të rriturit duhet të kalojnë 20-25% të natës në gjumë të thellë dhe REM.

Të moshuarit kanë nevojë për më pak gjumë të thellë, ndërsa foshnjat mund të kalojnë deri në 50% të gjumit në fazën REM.

Fatkeqësisht, me kalimin e moshës, sasia e gjumit të thellë zvogëlohet natyrshëm, duke rritur kështu rrezikun e sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri.

Si të përmirësohet gjumi i thellë dhe REM?

Gjumi i thellë ndodh zakonisht në fillim të natës, ndërsa gjumi REM ndodh më vonë, afër mëngjesit. Kjo do të thotë se nëse shkoni vonë për të fjetur dhe zgjoheni herët, po i kufizoni fazat më të rëndësishme të gjumit.

Sipas Issacson, zgjatja e kohës së gjumit rrit shanset për të pasur më shumë gjumë të thellë dhe REM, por vetëm nëse është i pandërprerë dhe cilësor.

Një studim i vitit 2023 ka treguar se zakonet e mira të gjumit mund të shtojnë deri në 5 vjet jetë për burrat dhe 2.5 vjet për gratë. 

Për këtë, doktorët rekomandojnë që duhet të:

Flini dhe zgjoheni në të njëjtën orë çdo ditë, edhe gjatë fundjavave.

Siguroni një ambient optimal për gjumë, dhoma e ftohtë dhe e errët është më e mira.

Shmangni alkoolin para gjumit, pasi mund të çojë në zgjime gjatë natës.

Reduktoni ekspozimin ndaj dritës së kaltër një orë para gjumit (pa telefona, TV ose kompjuterë).
Praktikoni teknika relaksimi si meditimi, joga ose banjat e ngrohta.

“Nuk ka asnjë ilaç që përmirëson gjumin në mënyrë të përgjithshme. Njerëzit duhet të ndërmarrin hapa vetë për ta përmirësuar atë”, ka thënë Cho.