Lifestyle

Studimi: Përjetimi i emocioneve të mëdha bashkë me dikë i lidh njerëzit më shumë

Përvojat emocionale mund t’i bëjnë njerëzit të lidhen më shumë në mes vete

Përvojat emocionale mund t’i bëjnë njerëzit të lidhen më shumë në mes vete

Studimi i ri ka theksuar një aspekt interesant të lidhjes njerëzore përmes përvojave emocionale. 
Sipas studimit, ndjekja e filmave së bashku mund t’i afrojë njerëzit më shumë për ndjenjat, sidomos kur bëhet fjalë për momente me emocione më të theksuara. 

Duke u fokusuar te çifte të panjohurish, studiuesit treguan se dëgjimi i përmbajtjeve emocionale, qoftë të gëzueshme ose shqetësuese, mund të sjellë një ndjenjë më të madhe lidhjeje mes vete. Kjo është edhe më shumë e theksuar kur individët janë afër dhe mund ta shohin njëri-tjetrin, shkruan The Guardian.

Eksperimenti, i cili përfshinte matje fizike përveç emocioneve të raportuara, ofron pamje të plotë të mënyrës se si këto përvoja të përbashkëta ndikojnë në përgjigjet emocionale.

Gjetja kryesore e këtij studimi është se ndjenja e lidhjes rritej kur pjesëmarrësit mund të shihnin njëri-tjetrin, gjë që tregon se dukshmëria ka rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve edhe pa komunikim verbal.

Victor Chung, autor i studimit që u bë në institucionin arsimor “Ecole Normale Supérieure” në Francë, ka sugjeruar se po që se ndahen përvojat emocionale me të tjerët, madje edhe me të panjohur, ato kontribuojnë në formimin e marrëdhënieve sociale. Ani pse studimi nuk ka dhënë prova përfundimtare se emocionet e theksuara krijojnë lidhje, ai ka hapur mundësi për hulumtime të mëtutjeshme mbi kontekstet e ndryshme emocionale dhe se si mund të ndikojnë në lidhjet ndërpersonale.

“Kemi gjetur se ndjekja e filmave emocionalë së bashku, mund të krijojë lidhje më të fortë sociale edhe kur personi i dytë mund të jetë i panjohur e të mos flasësh fare me të”, ka thënë Chung.

Në përgjithësi, ky studim ka theksuar rëndësinë e përvojave emocionale në formimin e lidhjeve sociale, duke rikujtuar se njerëzit janë të lidhur me njëri-tjetrin përmes përvojave të përbashkëta.